Pas rikthimit të infeksionit në Gjilan, kryetari i kësaj Komune, Lutfi Haziri, ka ftuar qytetarët që t’i mbajnë maskat në rrugë, lokale e në punë, në mënyrë që t’i evitojnë gjobat dhe t’i kthehen solidaritetit e lojalitetit.
Këto komente, kreu i Gjilanit i ka bërë në një konferencë për media, pas takimit të Komitetit për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
“Gjilani ka realizuar 4200 teste në këtë fazë pandemie dhe deri sot fatkeqësisht janë 48 vdekje nga COVID-19, 165 raste janë aktive dhe nën mbikëqyrje nga institucionet tona,, 1229 janë të infektuar në total, 1015 të shëruar, 12 raste janë në hospitalizim dhe 178 mostra janë në pritje për rezultat”, ka thënë Haziri, teksa ka njoftuar se pas disa rasteve pozitive në shkolla, nuk ka vend për shqetësim.
Ai tha se po punojnë bashkërisht me të gjitha institucionet relevante që ta ulin infeksionin në pikën zero.
Ndërkaq, drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, ka njoftuar se për momentin janë të infektuar 12 nxënës, 13mësimdhënës dhe 3 punëtorë teknik, në shkollat publike.
“Rastet janë në monitorim të vazhdueshme nga ana e task-forcës së DKA’së. Tashmë të gjitha shkollat e kanë urdhëresën për respektim të masave nga ana e shkollave. Lajmi i mirë është që në 75 për qind të shkollave nuk ka infeksion me COVID-19”, ka thënë Gagica.
Mesazhe për respektimin e masave anti-COVID-19 kanë dhënë edhe drejtori klinik i Spitalit të Përgjithshëm, dr. Ukshin Ismaili, drejtoresha e Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, dr. Ajhane Sefiu dhe drejtoresha e QKMF në Gjilan, dr. Arbenita Hajdari. /2LONLINE.com/
https://www.facebook.com/portali.2lonline/videos/672394880075496