(2L ONLINE) – Kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka shfrytëzuar rrjetin social Facebook, për t’i bërë ftesë Diasporës të ndihmojnë Fondin e Komunës së Gjilanit prej 100 mijë eurosh, që t’u dalin në ndihmë familjeve që kanë nevojë për strehim dhe banim. Ai me këtë rast ka vlerësuar lartë edhe ndihmën që ofroi këto ditë Bashkësia Islame Shqiptare në Winterthur të Zvicrës.
Ja postimi i Hazirit:
Falënderoj dhe përgëzoj për iniciativën Bashkësinë Islame Shqiptare në Winterthur të Zvicrës, e cila ka ndihmuar 10 familje me gjendje skajshmërisht të rëndë ekonomike e sociale në Komunën e Gjilanit, në shumën prej 1700 frangave zvicerane. Ky është një shembull i mirë i ndihmesës dhe solidaritetit që kurrë nuk ka munguar nga vëllezërit tanë nga diaspora. I ftoj edhe donatorët tjerë nga vendi e diaspora që t’i bashkëngjiten Fondit të Komunës së Gjilanit prej 100 mijë eurosh, që t’u dalim në ndihmë familjeve që kanë nevojë për strehim dhe banim. Zoti ju shpërbleftë! LH