/2L ONLINE/ – Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Zyhdi Haziri sot ka mbajtur një konferencë për media, ku ka prezantuar raportin gjashtëmujorit të parë të vitit 2015. Me këtë rast ai ka thënë se kjo Gjykatë, për këto gjashtë muaj të këtij viti ka treguar një efikasitet më të lartë, veçmas nëse bëhet një krahasim me të njëjtë periudhë të vitit të kaluar.
Haziri ka thënë se është bërë një punë e mirë në gjykatën themelore në Gjilan por edhe në degët e saj në Kamenicë, viti e Artanë dhe se statistikat flasin se kemi një efikasitet në këtë gjashtëmujore, krahasuar me gjashtëmujorin e vitit të kaluar.
Kryetari Haziri ka theksuar se në këtë gjashtëmujor përkundër mbajtjes së grevës së gjyqtarëve afër një muaj, Gjykata Themelore e Gjilanit me degët e saja ka arritur rezultate pozitive.
“Ne këtë gjashtëmujor kemi filluar mirë, por siç e dini ka pasur një grevë të gjyqtarëve dhe për gjatë tre javëve, nuk është punuar, por pas pezullimit të grevës puna ka vazhduar me një intensitet të mjaftueshëm dhe kemi rezultate të prekshme në disa departamente” tha Kryetari Haziri.
Gjithashtu ai ka përmendur edhe zgjidhjen e numrit të lëndëve të veprave të korrupsionit, kontrabandim me emigrantë dhe trafikim me qenie njerëzore
Ai tha se në Departamentin e Krimeve të Rënda, gjatë këtij gjashtëmujori të parë janë pranuar 96 lëndë, ndërsa janë kryer 126 lëndë.
Në Departamentin e Përgjithshëm-Penale, gjatë këtij gjashtëmujori janë pranuar 670 lëndë, ndërsa janë kryer 865 lëndë.
Në Departamentin e Përgjithshëm-Civil, gjatë këtij gjashtëmujori janë pranuar 373 lëndë, ndërsa janë kryer 563 lëndë.
Në Departamentin e Kundërvajtjes, gjatë këtij gjashtëmujori janë pranuar 10.044 lëndë, ndërsa janë kryer 4.586 lëndë.
Lëndë Përmbarimore, gjatë këtij gjashtëmujori janë pranuar 497 lëndë, ndërsa janë kryer 857 lëndë, derisa në Departamentin për të mitur janë pranuar 88 lëndë janë kryer 68.
Lidhur me të hyrat dhe inkasimin e taksave dhe gjobave gjyqësore në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015, të Gjykatës Themelore të Gjilanit se bashku me degët, janë inkasuar 588.006.69 Euro. /2L ONLINE/