Me pritjen e fëmijëve të veshur kuq e zi, vizitën në Batalionin e Reagimit të Shpejtë dhe shënimin e 45-vjetorit të themelimit të Radio Gjilanit, Komuna nën patronatin e kryetarit Haziri, ka vazhduar me aktivitetet në shënim të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe festave të nëntorit.
“45 vite më herët, Radio Gjilani ka ardhur si zë i qytetarëve dhe i falënderoj themeluesit e saj, disa prej të cilëve nuk janë në jetë. Ju themi faleminderit për këtë vlerë dhe këtë aset që ia kanë lënë trashëgimi Gjilanit. Unë ju inkurajoj që ta riktheni namin e Radio Gjilanit sepse ndikimi i këtij mediumi ka qenë jashtëzakonisht i madh, edhe në kuptimin kulturor, edukativ dhe informativ. Urime ky përvjetor i madh”, ka thënë kryetari Haziri gjatë shënimit të 45 –vjetorit te themelimit të radios së parë të Gjilanit.
Me këtë rast, kryetari Haziri ka ndarë mirënjohje për Remzije Zeka – Sherifin, Emine Sejdiu-Xhelili, post mortum për Selman Vokshin, Sabit Zymberin, sikurse edhe mirënjohjen kolektive për Radio Gjilanin, për kontributin e dhënë.
Haziri tha se në vitin e ardhshëm dëshiron që këtë medium ta shohë krejt ndryshe, duke shfaqur bindjen se përvjetorin e 46-të do ta shënojnë në zyrat e tyre.
Në fund, udhëheqësit e këtij mediumi kanë falënderuar kryetarin e Gjilanit për mbështetjen dhe organizimin e këtij përvjetori të madh.