(2L ONLINE) – Është inauguruar sot në Gjilan Fabrika e Radiatorëve “Enrad”, e cila është privatizuar në vitin 2012 nga kompania “Eng Office”, e njohur si fabrika “Jugoterm”. Në inaugurimin e kësaj fabrike ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, përfaqësues nga institucionet lokale dhe qendrore, nga Oda Ekonomike Amerikane, si dhe përfaqësues nga komunitetit i biznesit në vend.
Kryetarit të Bordit të fabrikës Mejdi Rexhepi, në fjalën e rastit, ka treguar për peripecitë me të cilat janë përballur në rikthimin e namit që e ka pasur para dy dekadash. Ai tha se janë investuar më shumë se 4 milionë euro në sektorë të ndryshme, duke e modernizuar teknologjinë në bashkëkohore.
“Që nga viti 2012 e deri më tash janë bërë investime serioze, në infrastrukturën periferike, në modernizimin e teknologjisë, duke e shndërruar në bashkëkohore. “Enrad” sot ka një portofolio të gjerë të produkteve dhe kjo na bënë lider në rajon. Kjo fabrikë, pos tregut vendorë, është prezente edhe në Shqipëri, Greqi, Maqedoni, Kroaci e Slloveni, me pretendimet që të zgjerohemi edhe në tregjet tjera europiane”, ka thënë Rexhepi.
Ndërsa në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka vlerësuar se fabrika “Enrad” është shembull i suksesit të privatizimit në Kosovë, për të shtuar se suksesi i saj do të ketë impakt në buxhetin e Komunës dhe në punësim.
“Fabrika “Enrad” ka reputacion të madh në Kosovë dhe është njëra prej fabrikave që identifikohet me Gjilanin. “Enrad” është shembull i suksesit të privatizimit në Kosovë. Suksesi i juaj do të ketë impakt të madh edhe në punësim, e po ashtu edhe në buxhetin e Komunës së Gjilanit. Shtrirja e prodhimeve të kësaj fabrike në tregun europian tregon qartë arritjen e madhe. Përfundimisht, brend për Gjilanin do të mbetet Fabrika “Enrad”, ka thënë Haziri.
Aktualisht, Fabrika e Radiatorëve ka të punësuar 280 punëtorë, ndërsa ofron asortiment të gjerë të prodhimeve si: radiatorë panel standard dhe kompaktë, radiatorë gruporë standard dhe lux, kalda dhe kaseta elektrike, kolektorë për ngrohje të ujit, si dhe elemente dhe komponente termoteknike për sisteme klimatike. Këto prodhime kanë garancion nga pesë deri në dhjetë vite. /2L ONLINE/