(2L ONLINE) – Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri, është mbajtur sot mbledhja komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të ish-kryeshefit të ekzekutivit të Komunës së Gjilanit z. Enver Muji.
Në këtë mbledhje ishte i pranishëm kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi, drejtorët komunal, këshilltarët komunal, deputetë, përfaqësues të partive politike, përfaqësues nga Bashkësia Islame, familjarë e miq, bashkëpunëtorë të z. Muji.
Në fjalën e rastit, kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri tha se Enver Muji gati tri dekada ishte i lidhur ngushtë me angazhimin e lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci, duke bartur detyra të rëndësishme, të përgjegjshme e shpeshherë të rrezikshme për kohën.
“Dje ishte ditë e dhimbjes lajmi për ndarjen nga jeta të z. Enver Muji, i cili ishte njëri prej kolegëve tanë më të çmuar dhe për gati tri dekada ishte i lidhur ngushtë me angazhimin e lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci, duke bartur detyra të rëndësishme, të përgjegjshme e shpeshherë të rrezikshme për kohën. Enveri ka qenë njëri prej themeluesve të arkës së shtetit, njëri prej bashkëthemeluesve të këshillit për vetëfinancim, e më vonë edhe si kryesh ekzekutiv, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën politike dhe institucionale në Gjilan”, ka potencuar kryetari Haziri.
Kryetari Haziri tha se Enveri ka qenë gjithmonë i gatshëm të marrë mbi vete detyre dhe t’i ndaj me të gjithë kolegët e tij, për t’i realizuar për një qëllim të përbashkët.
“Enveri është shquar për qetësinë dhe urtësinë e tij, por mbi të gjitha për bashkëpunim dhe për profesionalizimin e tij. Ka qenë gjithmonë i gatshëm të marrë mbi vete detyre dhe t’i ndaj me të gjithë kolegët e tij, për t’i realizuar për një qëllim të përbashkët. Enverin jeta e sfidoi në kohën kur i është dashur më së shumti vendit e familjes së tij. Ne do ta kujtojmë gjithmonë për të mirë Enverin, për përkushtimin e tij, do ta kujtojmë për thirrjen e tij që të punojmë në interes të përbashkët. Familje e dashur, ju lus ta shtoni durimin dhe të jeni krenarë për bashkëshortin, babain, nipin e familjarin tuaj dhe bashkëpunëtorin tonë z. Enver Mujin”, ka shtuar kryetari Haziri.
Në emër të familjes foli vajza e ish-kryeshefit Enver Muji, Jehona, e cila ka falënderuar Komunën e Gjilanit për respektin e treguar për nderë të jetës dhe veprës së babait të saj. /2L ONLINE/