Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur sot se Qendra Rajonale e Shëndetit Publik së shumë shpejt do ta ketë laboratorin për teste PCR.
Haziri e bëri publik lajmin pas takimit që zhvilloi në Gjilan me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.
“Ministrin Zemaj e njoftova në detaje për gjendjen që po përballemi me virusin COVID-19 në Gjilan, për hapat rreth parandalimit të përhapjes së virusit. Së bashku pamë nga afër punën e madhe që po bëhet në Spitalin e Përgjithshëm dhe Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik. Lajmi i mirë është që po përgatitemi ta pranojmë laboratorin për PCR dhe do të fillojmë t’i testojmë të gjitha rastet në QRSHP”, tha Haziri, transmeton 2LONLINE.com.
Ai pohoi se deri tani janë afro 7 mijë teste të realizuara në Gjilan, prej të cilave 501 raste janë aktive dhe rastet tjera janë shëruar, duke shtuar se humbja e betejes së 68 qytetarëve me virusin është shqetësimi më i madh
“Po ashtu, jemi në finalzim të Spitalit të Qytetit, i cili do të finalizohet me mjetet e punës dhe me zhvendosjen e ekipeve mjekësore përballë Spitalit të Përgjithshëm, që është një lidhshmëri fizike dhe komunikim mes dy institucioneve kryesore shëndetësore, jo vetëm në kohë pandemie. Me këtë ne po e përmbyllim ciklin e investimeve të mëdha në shëndetësinë primare. Faleminderit ministrit Zemaj për mbështetjen e madhe për Gjilanin”, ka thënë Haziri.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pasi e falënderoi kryetarin Haziri për pritjen, tha se vizita e sotme ka të bëj me mobilzimin për ruajtjen e shëndetit publik dhe për avancimin e shërbimeve shëndetësore në të gjitha nivelet.
“Interesimi ynë që t’i ngrisim kapacitetet spitalore, pavarësisht situatës pandemike, planet tona, dinamia e ngritja e resurseve humane, e përfshinë edhe Komunën e Gjilanit, Spitalin Rajonal dhe QKMF, në mënyrë që të gjithë bashkërisht ta lehtësojmë situatën e përballjes me COVID-19. Nëse vazhdojmë dhe e ngrisim ritmin e disiplinës, ia shkurtojmë këmbët virusit, iu ndihmojmë profesionistëve shëndetësorë, e heqim stërngarkesën në spitalet tona dhe i rikthehemi normalitetit”, tha Zemaj.
Në fund, Haziri dhe ministri Zemaj kanë vizituar Spitalin e Përgjithshëm dhe Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik, duke parë nga afër punën e madhe që bëhet nga profesionistët shëndetësorë. /2LONLINE.com/