(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit në një konferencë për media, ka elaboruar një vit qeverisje me probleme të shumta buxhetore, për shkak të borxheve të mëdha të trashëguara, sikurse që një gjë e tillë ka thënë ai do të determinoj edhe punën me pengesa të mëdha gjatë të ardhmes.
Me këtë rast ai në fjalën e tij ka thënë se viti që po lëmë pas ishte me sfida shumë të mëdha dhe me një disiplinë të ashpër buxhetore.
“Kemi kaluar një vit jashtëzakonisht sfidues, një vit i cili për shkak të rrethanave dhe gjetjeve detyrimisht Gjilanin e ka orientuar drejt një disipline të ashpër buxhetore, duke mos lejuar në asnjë mënyrë asnjë lloj shpenzimi për shkak të karakterit të menaxhimit të buxhetit si qeverisje e cila ka ardhur me 24 dhjetor të vitit të kaluar. Vetëm pak ditë para se të bëhen një vit në qeverisje ne po punojmë që t’i realizojmë objektivat tona të planifikuara. Ajo që kemi punuar gjatë këtij viti është se ne kemi zbardhë tabelorin buxhetor duke kryer të gjitha obligimet ndaj operatorëve që kapin një shumë jashtëzakonisht të konsiderueshme të mjeteve buxhetore”, ka thënë kryetari Haziri.
“2 milionë euro obligime të drejtpërdrejta ndaj operatorëve dhe shumë obligime të tjera të kontraktuara ka bërë që ne vërtetë ta menaxhojmë në mënyrën më të mirë dhe plani ynë është realizuar sa i përket këtij raporti”, tha ai.
“Kemi arritur që të kemi të hyra të qëndrueshme komunale. Kemi rritur besimin në të hyrat jo vetëm komunale por edhe të hyrat në ndërmarrjet komunale tregon qartë që qytetarët e Komunës së Gjilanit karshi kërkesës sonë dhe angazhimit tonë e kanë rritur besimin duke u sjellë me kulturën e tatim paguesit të rregullt. Ajo që më tutje mbetet obligim është inkasimi i borxheve nga e kaluara, i qytetarëve të cilët kanë ndaj Komunës së Gjilanit”, ka thënë ai duke apeluar që të shfrytëzohen edhe këto 12 ditë të këtij viti, që të kryhen të gjitha obligimet.
“Apeli im ka të bëjë me të gjitha kategoritë që kanë borxhe ndaj tatimit në pronë, ndaj taksave komunale, qirave komunale dhe obligimeve të tjera. Nga janari e tutje karshi borxheve të qytetarëve ndaj Komunës së Gjilanit toleranca do të jetë zerro. Nuk ka borxhe të shkallëzuara, nuk ka tolerancë ndaj operatorëve, dhe ndaj askujt i cili ndaj komunës ka apo do të ketë obligime”, tha kryetari Haziri.
“I lus të gjitha ata të cilët kanë mundësi, që ti bëjnë pagesat e borxheve sepse nga 15 janari e tutje nuk do të ketë tolerancë, do të ketë angazhime konkrete të zyrave që i përfshinë edhe përmbaruesit në grumbullimin apo inkasimin e mjeteve buxhetore”, tha ai me këtë rast duke shtuar se është dëshmuar qeverisje me disiplinë buxhetore dhe ulje të shpenzimeve për Gjilanin, por nuk mund të ketë tolerancë ndaj atyre që kanë obligime, sidomos ndërmarrësit dhe ekonomitë familjare që lidhen me obligime ndaj këtyre kategorive të obligimeve tatimore i lus që ti shlyejnë borxhet sepse ndikojnë në zbutjen e këtij problemi. /2L ONLINE/