(2LONLINE) – Nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri, ka nisur mbledhja e Bordit të Drejtorëve, të cilët do të raportojnë për periudhën 100 ditëshe të qeverisjes.
Në fjalën e tij, kryetari Haziri foli për një varg të arriturash të qeverisjes 100 ditëshe, të cilën po e sjellim të plotë:
“Ju kam ftuar sot në takim, me rastin e përmbushjes së 100 ditëshit të parë të punës për mua si kryetar, ndërsa për Bordin e Drejtorëve është një kalendar më i ri, por duke qenë pjesë e përbashkët e këtij angazhimi mendojmë që sot përmes parimit tonë që në të ardhshëm mbledhjet të mbahen me dyer të hapura për publikun dhe për të interesuarit, që përfshin edhe transmetimin e drejtpërdrejt në radiot lokale.
Është një ditë e veçante sepse sikurse sot në këtë kohë, ne e kemi marrë detyrën më 24 dhjetor ne e kemi marrë detyrën formalisht dhe gjatë gjithë kësaj kohe kemi kaluar këtë periudhë të tranzicionit të pushtetit, duke marrë detyrat ditore, stafin, obligimet, projektet, programet dhe gjithçka tjetër dhe ky tranzicion tashmë është mbyllur në muajin e kaluar.
Për 100 ditë pune, unë i lus drejtorët që në mënyrë raportive ta njoftoni publikun, por do të vazhdojmë me traditën e njejtë të punës dhe angazhimit, në mënyrë që Gjilani ta përmirësoj qeverisjen, ta ndryshojë imazhin, sikurse sot që është shembull i mirë pasi është anëtarja e shtatë e Kabinetit të Ministrit që vije në Gjilan, kanë qenë 2 zëvendëskryeministra poashtu. Për ta kthyer vëmendjen e Prishtinës në drejtim të Gjilanit, për ta kthyer vëmendjen e qendrës vendimmarrëse në drejtim të anamoravës dhe Gjilanit si Komunës, ka qenë jashtëzakonisht e vështirë sepse kthimi i vëmendjes nënkupton edhe kthimin e buxhetit, investimeve dhe programeve që ne parashohim.
Kemi konkurruar në të gjitha programet dhe presim impaktet e para. Jam i lumtur që simbolika e grantit të Ambasadës Amerikane në Gjilan, të vazhdohet dhe të pasohet me grantet e Komisionit Europian, të qeverive donatore në Gjilan, dhe të institucioneve të tjera financiare siç është Banka Europiane për Zhvillim (BERZH) me të cilët presim projektin më të madh prej 24 milionë euro lidhur me tretmanin e ujërave të zeza dhe ndërtimin e kolektorit për Komunën e Gjilanit.
Lajmet janë të mira sa i përket mbështetjes së donatorëve dhe programeve tona. Ne kemi qenë dje me nënkryetarin në Prishtinë për të koordinuar për programet tona edhe buxhetore edhe të programeve të tjera dhe projekteve që planifikojmë t’i realizojmë për ta nxjerrë Gjilanin nga ngërçi i borxheve dhe ngërçi i komunikimit me qeverinë, me parlamentin dhe me presidentin aty ku ka nevojë, në mënyrë që t’i mbërrijmë objektivat tanë të punës.
Dhe e treta, jo më pak e rëndësishme, është që urgjenca kërkon që përveç investimeve në infrastrukturë, në arsim, shëndetësi dhe në sektorë të tjerë, çështjet sociale trajtohen me prioritet. Çështjen sociale që lidhet me asistencën sociale, do ta rishikojmë kartelën sociale, do të zgjidhim problemet e banimit aty ku ka prona dhe mundësi të renovimit, dhe do të bëjmë zgjidhje edhe për familjet që nuk kanë banim. Do të bëjmë zgjidhje sepse kërkesat e mijëra qytetarëve lidhen me çështjet sociale, të banimit dhe të punësimit.
Unë falënderoj drejtorët për përkushtimin e madh që keni treguar, në përballimin e sfidave të rënda dhe pres që të bëheni shembull i mirë i mirë i qeverisjes dhe i zgjidhjes së problemeve. Qeverisja nuk nënkupton asgjë pos Brenda ditës një njeri ta bëni të lumtur mjafton, një njeriu nëse ia zgjidhni problemin në ditë, ne do të arrijmë të flemë rehat dhe të jemi të qetë. Secili prej nesh duhet ta rrisim kapacitetin e shërbimit në mënyrë që të standardizohet roli ynë si qeverisje lokale dhe si Komunë”, ka thënë kryetari Haziri. /2lonline/