(2L ONLINE) – Qytetarët e lagjes “Dardania” kanë arsye të gëzohen, ngase në pjesën ku aktualisht shiten dru për ngrohje, do të ndërtohet një park modern. Ky projekt kap vlerën e mbi 240 mijë eurove që Komuna e Gjilanit e ka fituar në kuadër të projektit “Kosova e Bukur”, që është financim i Komisionit Europian, ndërsa Komuna e Gjilanit participon me 10 për qind. Kështu është shprehur në një konferencë për media kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, i cili shoqërohej nga nënkryetari Rexhep Kadriu dhe kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi.
“Përveç punimeve që ne jemi në fazën e përfundimit, nënshkrimit të kontratave me operatorë, për asfaltimin e rrugëve në qytet dhe në vendbanimet më të mëdha, ne kemi marrë konfirmimin nga Komisioni Europian për projektin në lagjen “Dardania 1”. Shitblerja e druve që bëhet aktualisht në atë pjesë, do të kthehet në park me interes të qytetarëve në atë lagje dhe përreth, që përfshin rregullimin e infrastrukturës, gjelbërimin e zonave dhe rregullimin e traseve dhe të çerdhes për fëmijë të lagjes “Dardania”. Është një projekt jashtëzakonisht i madh që është fituar në kuadër të projektit “Kosova e Bukur” që e financon Komisioni Europian dhe Komuna e Gjilanit me 10 për qind pjesëmarrje”, ka thënë kryetari Haziri.
Ndërsa, nënkryetari Kadriu e ka shpjeguar në detaje mënyrën e realizimit të këtij projekti, duke thënë se destinimi i mëhershëm i asaj pjese për ndërtimin e një qendre tregtare është zëvendësuar me një park modern që do të jetë i qytetarëve. Ai tha se ky projekt do të filloj të realizohet brenda dy muajve.
Në kuadër të këtij projekti, do të marrin pjesë në punë edhe personat me nevoja të veçanta, që përfshin shoqatat Handikos, të verbrit dhe shurdhmemecët, cilët do të kompensohen nga Komisioni Europian.
Kryetari Haziri përmendi edhe projekte të tjera që janë të konfirmuara dhe që pritet të realizohen në vazhdim, ndërsa një pjesë e tyre janë në pritje të konfirmimit.Këto projekte kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkufitar Kosovë-Maqedoni, në bashkëpunim me komunën e Çairit për artizanatet; projektet për zhvillim ekonomik lokal dhe të bujqësisë të financuara nga “CARE”, IADK dhe EURED; finalizimi i kabinetit të informatikës financuar nga IOM; projekti në bashkëpunim me MAPL që përfshin ndërtimin e trotuarit në rrugën “Mulla Idrizi” deri në lagjen Zebeli i Sahit Agës; projekti i Trashëgimisë Kulturore Pa kufij për ndërtimin e urës në fshatin Pogragjë.
Projekte të tjera që do të realizohen janë edhe ndërtimi i trotuarit në lagjen “Arbëria” deri te shkolla “Mulla Idriz Gjilani” në fshatin Velekincë, rregullimi i trotuarit në fshatin Zhegër, pastaj do të ketë investime nga qeveria zvicerane për ndërtim të ujësjellësit dhe kanalizimeve në fshatra.
Projektet e konfirmuara nga donatorët kapin shifrën e mbi 600 mijë eurove, ndërsa të gjitha këto projekte do të realizohen edhe në bashkëfinancim shtesë nga Komuna e Gjilanit.
Kreu i Gjilanit tha se në ditët në vazhdim do të nis implementimi i këtyre projekteve në terren. /2l Online/