(2LONLINE) – Ndonëse është vlerësuar se po zvarriten emërimet e drejtorëve të drejtorive Komunale në Gjilan, besohet se të enjten kreu i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, do ti bëjë më në fund publike emrat e drejtorëve. Ajo çfarë është e sigurt, tani më, është fakti se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), partnere e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në bashkëqeverisje, veç është përcaktuar për emrat e dy drejtorëve sa i kanë takuar në bazë të marrëveshjes për bashkëqeverisje.
Burimet e Portalit 2L Online brenda AAK-së kanë bërë me dije se në takimin e strukturave të AAK-së të mbajtur të mërkurën, janë përcaktuar dy emra të cilët do ti propozohen Hazirit për tu emëruar në dy drejtoritë që janë ndarë për këtë subjekt.
Kështu, mësohet se Sokol Haziri, do të jetë drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, derisa Nazim Gagica do të jetë drejtor i Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme. Ndryshe, mësohet po ashtu se ushtruesve të drejtorëve të drejtorive përkatëse iu është bërë me dije se sot mund të jetë dita e fundit e tyre në këtë post, pasi priten emërimet, ndërkohë që deri më tani kemi pas të emëruar dy drejtor, Nazmi Musa (LDK) në Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe Labinotë Demi – Murtezi (PD), në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Përndryshe nga marrëveshja LDK – AAK, postin e nënkryetarit të Komunës është duke e ushtruar tani më Rexhep Kadriu (AAK). /2lonline/