(2L ONLINE) – Drejtoria e Shërbimeve Publike për kah aktiviteti i saj i punëve në terren është më aktivja në pasluftën e Gjilanit, me moton “çdo cent i qytetarit në shërbim të qytetarit kudo që ai jeton”, duke garantuar që me intensitet edhe më të shtuar do të punohet gjatë të ardhmes, ngase ky është edhe obligim i institucioneve lokale, ka vlerësuar drejtori i kësaj drejtorie Sokol Haziri, që së bashku me përgjegjësit e sektoreve në këtë drejtori, ka përshkruar punët e shumta që janë bërë për periudhën tetë mujore të qeverisjes me Gjilanin.
“Për këtë periudhë kohore në krye të drejtorisë së Shërbimeve Publike, kemi realizuar projekte të cilat kanë ndikuar në jetën më të mirë të qytetarëve tanë në gjithë hapësirën e Komunës së Gjilanit. Çdo cent i taksapaguesve tanë, do të kthehet tek qytetarët përmes projekteve publike ku do të përfitojnë së pari qytetarët tanë. Jemi aktiv dhe në punë për çdo ditë dhe trajtimi i hapësirës së Komunës është i barabartë në çdo cep, duke përfshirë zonën urbane, rurale e deri të fshatrat më të thella malore por edhe viset kufitare. Dora e shtetit do të preket nga të gjitha lokalitetet përmes investimeve”, ka thënë Haziri.
Duke i elaboruar investimet nëpër sektor, ai ka thënë se me sinjalizim horizontal dhe vertikal janë mbuluar mbi 7850 metra, ndriçim publik janë shtruar mbi 28 kilometra kabllo dhe janë vendosur mbi 450 trupa ndriçues, pastaj sanim dhe mirëmbajtje të rrugëve në qytet dhe zonën rurale mbi 80% të rrugëve, pastaj projekte të vogla, hapje të rrugëve të rendit të tret etj.
“Vetëm për këtë periudhë kohore kemi realizuar projektin kohorë për sinjalizim vertikal dhe horizontal për një gjatësi mbi 8 mijë metra, ku risi për qytetarët tanë ka qenë sinjalizimi i rrugëve për shtegun e biçiklistëve, që do të sinjalizohen edhe rrugë të tjera si për automjete, biciklistë, por edhe për persona me aftësi të kufizuara. Gjithashtu një punë e madhe është bërë edhe në ndriçimin publik ku nëse kjo shndërrohet në metra gjatësi atëherë na del se kemi shtruar mbi 28 kilometra kabllo dhe kemi vendosur rreth 450 trupa ndriçues duke punuar poashtu edhe në zavendësimin e tyre me trupa ndriçues efiçient. Poashtu kemi arritur që rrugët e qytetit dhe zonave rurale ti mbulojmë me sanim dhe mirëmbajtje të rrugëve në mbi 80 % të tyre, duke përdorur edhe formën tjetër të asfaltimit të tërësishëm të pjesëve ku dëmtimet kanë qenë të mëdha. Trajtimi i kësaj natyre do të bëhet në të gjitha rrugët e qytetit”, ka thënë Haziri duke spikatur problemin e infrastrukturës nëntokësore e cila është shumë e vjetruar dhe e cila paraqet problem kryesisht në zonën urbane.
“Edhe me projektet e vogla kemi arritur të bëjmë punë të cilat kur i shndërrojmë në metra gjatësi del që janë përfunduar mbi një mijë metra rrjet të ujësjellësit, pastaj rreth 1200 metra rrjet të kanalizimit dhe mbi 3600 metra kubëza betoni për trotuare”, ka shtuar ai duke potencuar se një punë të madhe kanë bërë edhe në hapjen e rrugëve të reja kryesisht në fshatrat e thella malore dhe fshatrat e brezit kufitar ku për këtë periudhë kohore janë hapur dhe trajtuar si rrugë të rendit të tretë mbi 41 kilometra gjatësi duke mundësuar kështu që familjet e fshatrave të thella malore me veturat e tyre të hyjnë për herë të parë në oborret e shtëpive të tyre.
Drejtori Haziri, ka bërë të ditur se projekte të tjera poashtu me shumë rëndësi do të punohen për gjilanasit anë e këndë hapësirës së Komunës. /2L ONLINE/