Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me bashkëpunëtorët e tij ka pritur në një takim pune dhe koordinimi drejtorin e KEDS në Kosovë, Alper Erbas, ku kanë konfirmuar bashkëpunimin e plotë në projekte të përbashkëta në kuadër të efiçiencës së energjisë.
Kryetari Haziri ka thënë se ky takim është në kuadër të bashkëpunimit dhe koordinimit për furnizim të rregullt me energji dhe njëkohësisht edhe realizimin e projekteve të përbashkëta në efiçiencë të energjisë.
“Komuna e Gjilanit edhe më parë ka kërkuar bashkëpunim me KEDS-in dhe ai është konfirmuar sot me një vendosmëri të plotë që të gjitha projektet që pikëprekin institucionet mes vete dhe inetersat e përbashkëta për qytetarin dhe afarizmin, të bëhen në koordinim të plotë. Drejtori, gjithashtu, ka konfirmuar edhe investime të tjera në vazhdimësi sikur edhe deri më tani dhe kjo do të bëhet në bazë të prioriteteve”, ka thënë në fjalën e tij kryetari Haziri.
Kurse, nga ana e tij drejtori i KEDS-it, Alper Erbas, pasi e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen miqësore, ka thënë se kompania do të jetë e orientuar përpos furnizimit të rregullt me energji elektrike edhe me projektet në digjitalizim, efiçiencë, investimin e përbashkët të projekteve komunitare dhe projekte të tjera që kanë të bëjnë me kushtet më të mira.