(2L ONLINE) – Drejtoria e Shërbimeve Publike në Gjilan është e vendosur që të gjitha deponitë e egra të krijuara nga persona të pa ndërgjegjshëm t’i largoj dhe ato hapësira publike të kthehen në shfrytëzim normal për publik.
Me këtë rast gjatë inspektimit të punimeve në fshatin Përlepnicë dhe Dobërqan drejtori Sokol Haziri, ka thënë se deponitë e egra do të zbulohen dhe hiqen tërësisht.
“Ne jemi në implementimin e projektit për largimin e deponive të egra në qytet dhe fshat. Në fillim kemi nisur me largimin e deponive të egra nëpër qytet dhe do të vazhdojmë edhe më tutje, ndërsa sot jemi në inspektimin e punimeve në dy fshatra në përlepnicë dhe Dobërqan. Këto deponi të krijuara nga persona të pa ndërgjegjshëm kanë penguar lëvizjen e qytetarëve, duke uzurpuar në një formë edhe hapësirën publike, ndërsa ne në tre – mujorëshin e fundit të këtij viti pos shumë punëve të tjera jemi duke u marrë me sinqeritet me eliminimin e këtyre deponive”, ka thënë ai.
“Afër Pendës së Përlepnicës ka përfunduar puna, është larguar deponia e mbeturinave dhe është ndryshuar totalisht ajo zonë e cila ishte degraduar në mas të skajshme. Tashmë në atë zonë do të punojmë që ta kthejmë në një hapësirë të gjelbëruar, sikur që do të trajtojmë edhe rrugën që shpie deri tek penda”, ka spikatur ai.
Ndërsa në fshatin Dobërqan ky projekt po trajton një hapësirë shumë të madhe rreth 1200 metra gjatësi të rrugës, duke u nisur nga fshati e deri tek lumi Morava.
“Në Dobërqan kemi të bëjmë me eliminim dhe largim të mbeturinave në një gjatësi të rrugës prej 1200 metrash ku janë larguar mbeturinat përbri rrugës. Njëkohësisht do të trajtojmë me zhavorr edhe këtë rrugë e cila shkon në drejtim të fshatit Pogragjë”, ka precizuar ai.
Haziri ka njoftuar se së shpejti do të nis largimi i mbeturinave në pjesën nga fshati Velekincë në rrugën që shpie për deponinë regjionale të mbeturinave. Edhe kjo pjesë është e degraduar jashtëzakonisht. Poashtu një deponi e tillë do të largohet edhe në fshatin Shurdhan.
Drejtori Haziri, ka apeluar tek qytetarët që të ruajnë ambientin në rrethin ku jetojnë sepse është së pari për të mirën e banorëve e më pas edhe të shoqërisë në përgjithësi, ndërsa ka kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrin masa të ashpra për ata të cilët ndotin ambientin dhe krijojnë këso ngufatjesh të grumbullimit të mbeturinave në natyrë.
Investimet në largim të mbeturinave po cungojnë mundësinë për investime në infrastrukturë tjetër. /2L ONLINE/