(2L ONLINE) – “Dega e LDK-së ne Gjilan, do t’i rikthehet të shtunave me konferenca të rregullta, për të lajmëruar për politikat e ndryshme sektoriale dhe natyrisht ne, sipas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm, do të fillojmë përgatitjet për zgjedhje të brendshme të LDK-së, që sipas orarit të dinamikës vendos kryesia dhe kryetari i LDK-së në të ardhmen. Por ne, sot i kemi njoftuar të gjitha strukturat tona që përfshijnë kryesinë e Degës, kryetarët e nëndegëve, Forumin e Gruas dhe Forumin e Rinisë”.
Kështu është shprehur kreu i komunës së Gjilanit dhe kryetar edhe i Degës së LDK-së në Gjilan Lutfi Haziri, në një konferencë me gazetarë të mbajtur në selinë e LDK-së. Ai ka thënë se po e rikthejmë gradualisht formën dhe kulturën e tyre të punës në mënyrë që ta njoftojnë publikun rreth zhvillimeve dhe angazhimeve që Dega e LDK-së në Gjilan ka ndërmarrë gjatë këtij procesi politik që kemi kaluar të gjithë, në veçanti për rolin në ndërtimin e institucioneve komunale, menaxhimin, angazhimeve konkrete që ka në Komunë, duke e vlerësuar rolin e këshilltarëve komunal, të drejtorëve dhe rolin e kryetarit të Komunës. Një proces i cili do të zgjas brenda debatit në struktura, që përfshinë edhe takime me qytetarë.
Haziri ka thënë se janë në një proces të përfundimit të vlerësimeve, janë në proces të ndërtimit të angazhimeve strukturore, në mënyrë që procesin e përgatitur mirë, ta kapitalizojnë me freskimin e strukturave dhe me hapjen e mundësisë që të gjithë ata që duan të jenë konkurrent, pjesëmarrës dhe të angazhuar, do ta kenë mundësinë dhe sigurinë tonë si Gjilan.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që Gjilani i ka tre deputetë të LDK-së në Kuvend, është partia më e madhe e përfaqësuar. Janë tre deputetë që jetojnë dhe punojnë në Gjilan dhe në këtë rrafsh unë e shoh që bashkëpunimi i deputetëve nga të gjitha partitë politike në Gjilanit, do të ndihmojë realizimin e programeve që janë në interesin tonë. Po e përmendi me qëllim, duke besuar shumë që po i vije fundi procesit të rezultateve zgjedhore të 8 qershorit dhe besoj shumë që do të kemi Kuvend dhe Qeveri shumë shpejt dhe natyrisht do të duhej të merren veprime konkrete në mënyrë që ta përmirësojmë angazhimin tonë edhe në nivel qendror’, ka thënë Haziri.
I pari i LDK-së në Gjilan, tha se janë këtu, për të konfirmuar edhe njëherë mënyrën se si punon LDK dhe në shkallën e parë komisionet e tyre profesionale e kanë kryer pjesën e tyre, ndërsa tash janë në nivel të strukturave vendim-marrëse dhe natyrisht në fund – Kuvendi.
‘Në 25-vjetorin e themelimit të LDK-së, LDK e Gjilanit ka shumë arsye të krenohet me rezultate, sidomos për rikthimin në qeverisje lokale, me rikthimin e tre deputetëve në Parlament, nga dy sa kanë qenë dhe besojmë shumë që do t’i arrijmë objektivat tona në realizimin e ndryshimit të politikave diskriminuese në buxhet për Gjilanin dhe përmirësimin e kushteve dhe programit tonë”, ka thënë Haziri i LDK-së. /2L ONLINE/