(2L ONLINE) – Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri,iu është përgjigjur me ironi, akuzave të opozitës, PDK-së e Vetëvendosjes, përfaqësues të të cilave subjekte kishin deklaruar se Haziri është si i huaj në Gjilan dhe se më tepër por rri në Prishtinë për punë partiake e po del në vizita jashtë vendit pa i sjellë të mira Gjilanit, sesa që po e kryen detyrën e kryetarit të komunës.
I pyetur nga portali 2L ONLINE, për këto akuza të opozitës, Haziri tha se secili ka peshën e tij në politikë dhe se me angazhimin e tij, ai ka arrit ta kthejë vëmendjen buxhetore të Prishtinës kah Gjilani, po ashtu edhe vëmendjen e Tiranës, të Brukselit, si qendër e rëndësishme vendimmarrëse, por edhe vendeve tjera, me çka Kosova, por edhe Gjilani është përfituese e programeve të ndryshme, derisa oponenca duke qëndruar në zyre, apo veç në Malishevë, a në Përlepnicë…, e duke mos mundur të shkojë as deri në Llabjan, ka treguar moskujdesin total ndaj komunës.
“Çfarë të bëjë kur dikush nuk ka mundur të shkojë as deri në Llabjan, apo Prishtinën e ka pa veç me ftesa, apo edhe kur ka shkua në darka të arsimtarëve në Prishtinë. Unë nëse është nevojë edhe për një projekt fare të vogël shkoj tri herë në Prishtinë”, ka thënë Haziri.
Ai tha se opozita po ka dëshirë ta sheh të lehtë në politikë dhe pranojë se ka edhe brenda partisë së tij që e duan me peshë të lehtë, por tha se ja që peshon rëndë në politikë, pasi kjo nuk varet nga vullneti i opozitës.
Se sa kanë punuar ata që po e kritikojnë, Haziri si shembull mori edhe partneritetet (binjakëzimet) që ishin bërë në qeverisjen e mëhershme të tij, e që tani kur sërish është në krye të Gjilanit, tha se e ka parë që në qeverisjen e kaluar, këto parneritete ishin humbur krejtësisht.
Pavarësisht kritikave opozitare, që për të janë të pa qëndrueshme, Haziri tha se do të vazhdojë të angazhohet për Komunën e Gjilanit. /2L ONLINE/