Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në kuadër të vizitave për infrastrukturë, sot ka vizituar punimet që janë duke u bërë në fshatin Cërrnicë, që do të jetë fshati i dytë model në Gjilan dhe ka garantuar se vonesat e deritanishme kanë qenë për shkak të ndërrimit të operatorit dhe puna do të vazhdoj me dinamikë më të madhe.
“Po punojmë në rregullimin e hyrje-daljeve të fshatit Cërrnicë dhe atë në dy drejtime. Rrugën kryesore nga qendra e fshatit që lidhet me rrugën Gjilan-Ferizaj dhe rrugën tjetër të madhe që lidhet përmes Livoçit të Ulët me qytetin e Gjilanit. Përpos këtyre dy rrugëve do të punojmë njëkohësisht edhe në rregullimin e rrugëve brenda fshatit, për të vazhduar me ujësjellësin për fshatin Vrapqiq e më pas edhe rrugën Cërrnicë – Vrapqiq. Gjithashtu në kuadër të kësaj Komuna e Gjilanit do të mbështet edhe kërkesat e shkollës dhe të Bashkësisë Islame, në mënyrë që mirëmbajtja e investimeve të jetë e përbashkët me gjithë komunitetin”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai gjithashtu ka potencuar se do të punohet në një segment të kanalizimit dhe trotuarëve, duke integruar edhe hapësirën publike të shfrytëzueshme për park dhe gjelbrim, kurse në fazën e ardhshme me programin e madh për trajtimin e ujërave të zeza, Cërrnica do të ketë edhe kolektorët e integruar për të ngritur nivelin e pastërtisë së ambientit dhe lumit në veçanti.
Nijazi Bllaca, në emër të shoqatës së Cërrnicës në Zvicër dhe kryetari i këshillit të fshatit, kanë falënderuar kryetarin për punën që është duke bërë dhe gjithashtu konfirmuan se kërkesat e fshatit po trajtohen maksimalisht, duke konfirmuar angazhimin për ruajtjen e investimeve dhe njëkohësisht kujdesin për Cërrnicën e pastër dhe të mirëmbajtur.