(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit, .Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, të cilën e ka informuar me projektet të cilat është duke u marrë Gjilani, por edhe me bashkëpunimin që kanë institucionet lokale me komunitetin turk, me KFOR – in turk por edhe me bashkëpunimin në investime të cilat vijnë përmes ambasadës nga shteti Turk.
Me këtë rast kryetari Haziri, ka thënë se lidhja e Gjilanit me shtetin Turk por edhe me ambasadoren në këtë rast është shumë e veçantë për shkak të komunitetit turk që jeton në Gjilan historikisht e që është pjesë e zhvillimit dhe e kulturës sonë, por edhe për shkak të komunitetit Gjilanas që jetojnë dhe veprojnë në Turqi prej vitesh.
“Bashkëpunimi me ambasadoren por edhe me shtetin turk është i veçantë sepse në Gjilan jetojnë komuniteti turk dhe janë pjesë e pandashme e zhvillimeve në të gjitha fushat, por edhe për arsyen që në Turqi jeton komuniteti shqiptarë nga kjo anë, e që kanë bërë emër për sa i përket zhvillimit dhe jetës që kanë krijuar atje. Investimet në Turqi që po bëhen nga Gjilanasit, por edhe bizneset në Gjilan që udhëhiqen nga komuniteti turk, si dhe jeta në përgjithësi, janë parakushtet që ne këtë bashkëpunim ta thellojmë edhe më tepër në të mirën e zhvillimit të përgjithshëm”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri, duke e spikatur bashkëpunimin shumë të madh që e ka Gjilani me KFOR – in turk por edhe me Agjensioni Zhvillimor Turk “Tika”, e cila është pjesë e investimeve në restaurim dhe rindërtim, po ashtu edhe pesë student këtë vit janë pranuar të ndjekin studimet në universitetet turke.
Ndërsa nga ana e saj ambasadorja, Songul Ozan, ka thënë se Gjilani po preket nga të gjithë sektorët e ambasadës duke përfshirë investimet, KFOR – in, por edhe nivelet tjera si shoqatat dhe bashkëpunimi në aspektin e komuniteteve turke në Gjilan dhe gjilanase në Turqi.
“Jemi këtu të rikonfirmojmë bashkëpunimin e dy niveleve për të ardhmen sa më të mirë të qytetarëve tanë në të dyja anët. Ndjehem shumë mirë që komunitetet tona po zhvillohen dhe përherë e më tepër janë pjesë e zhvillimeve në përgjithësi. Projektet infrastrukturore që po ndodhin në Gjilan janë një sektor që për ne do të mbetet përherë i mbështetur. Edhe aspekti i bashkëpunimit dhe integrimit të komunitetit turk në shoqërinë gjilanase është një element që neve na bënë që bashkëpunimi institucional të jetë përherë e më i mirë edhe gjatë të ardhmes”, ka thënë ajo ndër të tjerash. /2L ONLINE/