(2L ONLINE) – Komuna e Gjilanit, respektivisht qyteti dhe pjesa më e madhe e lagjeve dhe fshatrave, sot gjatë mesditës janë përfshirë nga reshje të dendura që kanë vështirësuar qarkullimin automjeteve por edhe të këmbësorëve, duke shkaktuar një kaos në qarkullim, gjë për të cilën është aktivizuar i gjithë shërbimi emergjent i nivelit lokal.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, z.Lutfi Haziri, ka urdhëruar të gjitha instancat komunale duke aktivizuar të gjitha shtabet emergjente që përfshinë Komunën e Gjilanit, Drejtorinë për emergjenca, zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe organet e tjera, për të menaxhuar sa më mirë dhe me efikasitet gjendjen pas reshjeve të mëdha të shiut.
Të gjithë qytetarët të cilët kanë probleme me reshjet e shiut luten të lajmërohen në numrat e emergjencave dhe menjëherë shtabet emergjente do të intervenojnë.
Numrat të cilët mund të telefononi pa pagesë janë: 193, 112, 194 dhe 192. /2L ONLINE/