/2L ONLINE/ – Duan shkollë të re, sepse ajo ekzistuese vlerësohet të jetë e rrezikshme për sigurinë e nxënësve dhe të mësimdhënësve. Për këtë qëllim nxënësit e shkollës fillore, “Agim Ramadani” të fshatit Haxhaj, kanë protestuar bashkë me prindërit e tyre, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse, ta kenë parasysh kërkesën e tyre për ndërtimin e një objekti të ri shkollor.
“Që nga dita e sotme do të protestojmë në vazhdimësi dhe mënyra të ndryshme, ne nxënësit e kësaj shkolle, bashkë me prindërit tanë nga fshatrat: Haxhaj, Demiraj, Selishtë dhe Goden, derisa institucionet tona, si: Drejtoria e Arsimit, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami të marrin masa për rrënimin sa më të shpejtë të kësaj shkolle dhe ndërtimin e një shkolle të re “, ka thënë Hyrije Dauti, nxënëse e kësaj shkolle.
Siç ka thënë ajo, shkolla është e vjetër, por edhe e dëmtuar nga tërmeti, e që si e tillë edhe është vlerësuar nga komisionet vlerësuese teknike, si e rrezikshme për zhvillimin e procesit mësimor. Që të jenë të sigurt, objekti duhet rrënuar dhe ndërtuar i riu.
Përndryshe, ata kanë ftuar në vizitë dhe kreun e komunës së Gjilanit edhe ministrinë e arsimit për të parë nga afër gjendjen. e nga të cilët kërkohet edhe marrja e vendimit për ndërtimin e shkollës së re.
Edhe Hasan Dauti, anëtar i Këshillit të Prindërve nga fshahti Haxhaj tha se problem është i kamotshëm, duke theksuar se shkolla paraqet rrezik të vazhdueshëm për jetën e nxënësve, përpos që nuk i plotëson kushtet për mbarëvajtjen e procesit edukativ-arsimor.
Sipas tij, protesta e sotme është vërejtja e fundit ndaj autoriteteve përgjegjëse për zgjidhjen e këtij problem serioz. U tha, nga ana e tij, se do të ndërpritet edhe procesi mësimor në këtë shkollë. Përndryshe, në këtë shkollë mësimet i vijojnë rreth 100 nxënës, kurse klasa e nëntë me 17 nxënës në mungesë të klasës vijon shkollimin në Zhegër. /2L ONLINE/