(2L ONLINE) – Drejtues e Nisma për Kosovën, Dega në Gjilan kanë thënë se janë duke u bërë të gjitha veprimit për një organizim të mirëfilltë të Degës dhe se ky subjekt politik do të jetë zë i fuqishëm i opozitarizmit në Gjilan dhe mbrojtës i interesit të qytetarëve.
Bajram Hasani, kryetar i Nisma për Kosovën, Dega në Gjilan tha për Portalin 2L ONLINE, se në takimin me strukturat e Degës, kryesinë e saj, janë marrë disa vendime për vazhdimin e organizimit të Degës në Gjilan e cila për synim ka të jetë subjekt i fuqishëm që mbron interesin qytetar.
Hasani tha se për këtë kanë marrë mbështetje edhe nga kreu i këtij subjekti politik Fatmir Limaj, i cili ka qenë prezent në këtë takim dhe i cili u ka ofruar mbështetje në synimet që i ka Dega e Gjilanit.
Hasani që njëherësh është edhe anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit tha se në takimin që ka pas kryesia e NISMA-s janë marrë disa vendime të rëndësishme për vazhdimin e organizimit të Degës, shtrirjes së mëtutjeshme në terren dhe formimin e Komisioneve.
Ai tha se do të jenë Komisioni për ekonomi, arsim, shëndetësi, shërbime publike-urbanizëm, kulturë, sport e rini e që shumë shpejtë do të emrohen edhe drejtuesit e këtyre Komisioneve.
“Roli i këtyre komisioneve do të jetë monitorimi i punës së Kuvendit Komunal përkatësisht i pushtetit në Gjilan. Ju premtojmë qytetarëve të Gjilanit se NISMA do të jetë zë i fuqishëm i qytetarëve dhe do të jetë zë opozitar në mbrojtje të interesit qytetar karshi pushtetit në Gjilan”, ka thënë Bajram Hasani kreu i NISMA-s në Gjilan. /2L ONLINE/