(2LONLINE) – Ndonëse vije nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila i humbi zgjedhjet dhe tani është në opozitë, ish këshilltari i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Refik Hasanit, nuk i pengon përkatësia e tij partiake, që të shpreh publikisht interesimin për të qenë në krye të Zyrës për Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, premtim ky i kryetarit të komunës s Gjilanit Lutfi Haziri (LDK), ndonëse i pa jetësuar akoma.
Për më tepër, përfaqësues të organizmave që merren apo përfaqësojnë qytetarët e asaj ane, ka kohë që kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të zbatohet rezoluta për Luginën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, e ku sipas tyre ka qenë obligim i saj edhe hapja e e zyrave të tilla në Prishtinë e Gjilan, gjë që nuk është bërë deri më sot.
E kryetari i tanishëm i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri sa ishte në fushatë, kishte deklaruar se vendimin e dytë që do ta merrte kur do të fitonte e do të bëhej kryetar komune, pas atij që selia e kryetarit të shndërrohet në muze, do të ishte pikërisht hapja e Zyrës për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, zyre që në kuadër të mandatit të rezolutës së Kuvendit të Kosovës, veç është dashtë, sipas tij, të hapet që sa kohë, por qeveria e ka neglizhua këtë problem, e ka neglizhua në atë shkallë sa që qytetarët edhe më tutje janë mbet peng, kishte thënë ai. Kjo zyre, siç ishte shprehur Haziri, do t’i asistonte në zgjidhjen e problemeve, të drejtave civile, kërkesave, mbështetje humanitare dhe probleme të tjera që i kanë qytetarët e asaj ane që jetojnë këtu dhe të atyre që vijnë për nevojat e tyre në komunën e Gjilanit.
E tani kur janë intensifikuar zërat për hapjen sa më shpejtë të kësaj zyre në Gjilan e Prishtinë, ka edhe të atillë që shprehen se janë njerëz adekuat për të qenë në kryet të këtyre zyrave, siç është rasti i Refik Hasnait i cili e konsideron veten njeri me kompetencë që do të mund të ishte në krye të kësaj zyreje në Gjilan, apo pse jo edhe në Prishtinë.
Hasani thotë për 2lonline, të ketë dëshmuar veten deri më tani për angazhimet e tija edhe si publicist edhe si ish këshilltar komunal, por edhe në forma tjera duke qenë shumë aktiv edhe nëpër debate, tribuna , forume e paraqitje publike, sesione e konferenca shkencore, sa herë që ka qenë në pyetje Bujanoci, Presheva e Medvegja.
Ai thotë se jo vetëm që është i lidhur emocionalisht pasi është me prejardhje nga Bujanoci, por edhe në Lagjen Zabel të Gjilani ku jeton tani, e ku janë të koncentruar popullata e ardhur nga ajo anë, ka qenë përfaqësues i kësaj lagje për më se një dekadë, por dhe i vetmi dhe i pari që e ka vizituar në cilësi e Asamblistit të Gjilanit, Kuvendin përkatësisht kuvendarët e asaj ane.
Ai thotë se mbi të gjitha e njeh mirë problematikën me të cilët ballafaqohet ajo anë, por edhe qytetarët që jetojnë këtu e që janë prej asaj ane,
Shihet se Hasanit nuk i pengon fakti që ai është PDK, ndërsa pushteti udhëhiqet nga LDK. Por, a do ti pengojë kjo Hazirit të LDK-së. Kur ishte qartësuar rezultati i zgjedhjeve dhe diheshin numrat në Kuvend, Haziri i pyetur për një mundësi bashkëpunimi me PDK-në, për t’i lënë të tjerët në opozitë, pasi do të mjaftonin për të qenë shumicë në Kuvned vetëm këto dy parti, Haziri kishte deklaruar “…a bëhen bashkë dita me natën, aq LDK e PDK…”.
Pra, a do të lejojë përkatësisht besoi, kreu i komunës Lutfi Haziri , tani drejtimin e një zyre të tillë kuadrit të partisë opozitare, aq më parë të PDK-së, mbetet të shihet. Haziri publikisht kishte deklaruar se atë zyre më së miri do ta drejtonin përfaqësues e Shoqatës Vatra (tani e shndërruar në Lëvizje).
“Zyra do të udhëhiqet nga njerëzit që janë marrë me këtë problem. Përkundër që Vatra është shndërrua në Lëvizje Politike ne mendojmë se ata janë përfaqësues kryesor që nesër do të mund të udhëhiqnin zgjidhjen e problemeve, në bashkëpunim me komunën e Gjilanit për angazhime të përbashkëta”, kishte thënë kohë më parë Haziri.
Ndërkohë, edhe Sejdulla Kadriu kryetar i Lëvizjes Vatra dhe asamblist i Kuvendit komunal të Gjilanit tani së fundi kishte thënë se do të pranonin të ishin në krye të kësaj zyreje.
“Në parim do të pranonim ta udhëheqim atë zyre sepse konsiderojmë se ka probleme të shumta me të cilat mund të merremi siç është integrimi i i qytetarëve të asaj pjese në Komunën e Gjilanit si dhe bashkëpunimi në drejtime të ndryshme si në kulturë, sport, arsim, ekonomi dhe segmente tjera mes Gjilanit dhe Kosovës Lindore. Por, kjo nuk duhet të kushtëzohet nga partia fituese me çështjen e koalicionit të mundshëm apo jo me Vatrën, sepse kjo duhet ndarë si çështje në vete për shkak specifikave që ka Lëvizja Vatra. ”, kishte thënë Kadriu për 2lonline.
Natyrisht, për të parë zhvillimet në këtë drejtim, më së pari duhet parë apo hapet apo jo kjo zyre, a po e mbanë premtimin kreu i komunës, pastaj të shohim se a do të krijojë koalicion edhe me Vatrën, që është e përfaqësuar në Kuvend, e cila pastaj mund të ishte determinuese edhe për udhëheqjen e zyrës në fjalë, apo do të ketë tani qasje tjetër, pa përjashtuar mundësinë që në këtë drejtim të bashkëpunojë edhe me opozitë, që thënë realisht është pak e mundshme, por të mos thënë e pamundshme, veçmas me PDK.
Mbetet të shihet. /2lonline/