“Tranzicaioni i FSK-së është legjitim, është demokratik dhe gjithashtu është një proces gradual dhe synon që të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe globale”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, në Konferencën e organizuar nga Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës ,,FSK dhe Partnerët’’, e cila ka për qëllim që të mbledhë të gjithë akterët mbështetës të Forcës së Sigurisë së Kosovës me qëllim të koordinimit të mbështetjes së ofruar nga vendet partnere me të cilat MFSK ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
Kryeministri Haradinaj, me këtë rast tha se për të është nder që po merr pjesë në këtë konferencë dhe që është dëshmitar i rritjes së FSK-së dhe gjithashtu të një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me partnerët.
Duke falënderuar të gjithë të pranishmit, gjeneralë, atashe ushtarakë, ambasadorë të akredituar në Kosovë dhe në veçanti gjeneralin Orr, nga shteti i Iowa-s, kryeministri Haradinaj tha se tranzicioni i FSK-së është një kapitull i ri, por që do ta thellojë partneritetin edhe më tutje.
“Tranzicioni i FSK-së është legjitim, është demokratik dhe gjithashtu është një proces gradual dhe synon që të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe globale”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ky tranzicion dëshmon pjekurinë dhe gatishmërinë për të marrë përgjegjësi më shumë së bashku.
Duke thënë se FSK-ja është forcë shumetnike, kryeministri Haradinaj potencoi se në asnjë mënyrë nuk do të tolerohet që të ketë dhunë apo kërcënime për pjesëtarët e saj dhe shtoi se edhe serbët e kanë rolin e tyre në Forcë, sepse edhe janë pjesë e saj.
“FSK-ja nuk do të zëvendësojë KFOR-in. KFOR-i është i mirëseardhur në shtetin tonë. FSK-ja nuk do ta zëvendësojë NATO-n. Prania e NATO-s në shtetin tonë është e mirëseardhur përgjithmonë dhe ne dëshirojmë t’i bashkohemi NATO-s, dëshirojmë të shërbejmë me ju dhe, FSK-ja, gjithashtu me tranzicion është e gatshme të shërbejë me ju kudo në botë”, tha kryeministri Haradinaj.
Gatishmëria e Kosovës për t’iu bashkangjitur NATO-s, sipas kryeministrit Haradinaj, konfirmon edhe gjithë atë që ka bërë NATO-ja në mbështetjen, trajnimet dhe profesionalizmin e FSK-së dhe praktikat e mira të saj, si dhe është një investim i vlefshëm që kanë bërë për Kosovën.
“FSK-ja është anëtare e koalicionit kundër terrorizmit, por ne jemi të gatshëm që të bëhemi anëtarë edhe të INTERPOL-it, por që gjithashtu dëshirojmë të jemi anëtarë edhe të NATO-s”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri tha se përmes kësaj konference, shfrytëzon rastin t’ iu bëjë thirrje shteteve të NATO-s, që të ftojnë Kosovën dhe Forcën e saj në ekipet e tyre.
Ministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, tha se prania e partnerëve tanë në këtë konferencë e bënë FSK-në të krenohet me punën e përbashkët për paqe dhe siguri në vend dhe më gjerë.
“Jemi zotuar që të bëheni ofrues rajonal i sigurisë dhe jo vetëm konsumues i saj”, tha ministri Berisha, duke shtuar se kjo nënkupton anëtarësimin përfundimtar në NATO.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, tha se tranzicioni është një proces i koordinuar me të gjithë dhe në harmoni me Kushtetutën tonë.
“Ne do të jemi storie suksesi për Kosovën dhe do të vazhdojmë së bashku partneritetin , raportet miqësore dhe ne do ta udhëheqim forcën tonë të ardhshme”, tha komandanti Rama.
Ndërkaq, gjenerali Tomothy Orr, tha se e ardhmja e FSK-së është shumë e ndritur dhe se do të vazhdohet me mbështetjen edhe më tutje.
Në këtë konferencë pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues institucionalë, përfaqësues të vendeve partnere, nga Ekipi Këshillues Ndërlidhës i NATO-s, KFOR-i, përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave si dhe ambasadorët e akredituar në vendin tonë nga shtete të ndryshme.