Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se ka tendenca për të detyruar Bllokun për të negociuar me liderin e PDK-së, Hashim Thaçi.
“Është shumë e dukshme tendenca për të na detyruar që të hyjmë në negociata me zotin Thaçi dhe me PDK-në. Pra, është një tendencë e mbajtjes me çdo kusht të një pjese të pushtetit. Qëndrimi ynë është i qartë, nuk bisedojmë, nuk negociojmë dhe nuk bëjmë bashkëqeverisje me zotin Thaçi. Ne jemi përcaktuar për ndryshime të plota”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për “Radio Evropën e Lirë”
Ai ka thënë se koalicioni LDK-AAK- Nisma është i përcaktuar për ndryshime, por pa PDK-në.
“Ne e kemi zgjidhjen në Kuvend, pra nuk e qojmë vendin në zgjedhje pasi që nuk e ka Kosova luksin për harxhime të dhjetëra milionave dhe humbur kohë për zgjedhje. Po e them, është fat i madh që edhe pse PDK do të dështon për të dytën herë me kandidaturën e saj, koalicioni LDK-AAK-Nisma dhe partnerët e kanë zgjidhjen. Andaj ne e mirëpresim mbajtjen e seancës në afatin më të shpejtë kohor, në mënyrë që të fillojmë me ndërtimin e institucioneve”, është shprehur Haradinaj.