Heshtja dhe hipokrizia politike e pushtetarëve në Prishtinë në raport me ndalesën e padrejtë të Haradinajt në Francë, përveçse vërtetoi implikimin e tyre në pengmbajtje, i ka tejkaluar të gjitha limitet e eksperimentit politik.
Shkruan: Florim Zeqa
Pas ndalimit të Ramush Haradinajt në Kolmar të Francës, në shkrimin tim autorial të datës 9 janar 2017-të, me titull: “Arrestimi i Haradinajt, eksperiment i koordinuar politik!”, pata ngritur shqetësimin, mos vallë në këtë lojë të koordinuar të Serbisë dhe Francës, është implikuar edhe ndonjëri nga liderët shtetërorë të Kosovës, me qëllim të eksperimentimit politik për mënjanimin e pengesës më të madhe (Haradinajt) në realizimin e projekteve shtetshkatërruese të Kosovës, siç janë: cenimi i rendit kushtetues në vend, tkurrja territoriale e vendit dhe ndarja e sovranitetit të shtetit në dysh-mes serbëve dhe shqiptarëve.
Për fat të keq ky shqetësim imi doli të jetë 100 % i saktë.
Sikur të ishte ndryshe, liderët shtetërorë të Kosovës nuk do të mjaftoheshin vetëm me prononcime për medie dhe “keqardhje” publike, por do të ndërmerrnin hapat e duhur për lirimin e menjëhershëm të tij, siç janë: ndërprerja e dialogut me Serbinë në Bruksel, ndërprerja e kontakteve me zyrtarët e Ambasadës Franceze në Prishtinë dhe dërgimi i notës së protestës shtetërore ndaj autoriteteve franceze në Paris,…dhe jo vetëm kaq, kërkesa për lirimin e Ramush Haradinajt duhej të dërgohej në Këshillin e Sigurimit në OKB, Bruksel, Vjenë e Berlin…etj.
Heshtja dhe hipokrizia politike e pushtetarëve në Prishtinë në raport me ndalesën e padrejtë të Haradinajt në Francë, përveçse vërtetoi implikimin e tyre në pengmbajtje, i ka tejkaluar të gjitha limitet e eksperimentit politik.
Të lihet për dy muaj rresht një qytetar i Kosovës në mëshirën e aleancës serbo-franceze, e aq më tepër të një lideri partiak, komandantit të luftës çlirimtare dhe ish-kryeministrit të vendit është pak më tepër se kapitullim shtetëror përballë Serbisë armiqësore. Shteti në të cilin përkohësisht qëndroj, pra Italia nuk do ta lejonte as 24 orë një lider partiak të zënë peng nga autoritetet e ndonjë shteti e lërë më dy-tre muaj siç po ndodh me Haradinajn.
Aktakuzat e fletë-arrestit serb ndaj Haradinajt mbeten letra të pa vlera pas verdiktit (dy herë radhazi) të Gjykatës së Hagës për krime lufte. Vazhdimi i ndalimit të padrejtë i Haradinajt nga një gjykatë lokale franceze në Francë, i vërtetoi dy gjëra: miqësinë e vjetër serbofranceze dhe hipokrizinë politike të liderëve shtetërorë të Kosovës, të cilët përveç “lotëve të krokodilit” nuk e bënë asnjë veprim politik për lirimin e tij.
Siç po duket, mosprezenca e Ramush Haradinajt i ka bërë të ndihen komod liderët shtetërorë dhe koalicionin qeverisës bashkë me Listën serbe në prag të votimit të Demarkacionit me Malin e Zi dhe themelimit të Asociacionit të komunave serbe në veri. Andaj vendimin për mbajtjen e mëtutjeshme të Ramush Haradinaj në Francë nuk duhet shikuar me “syze partiake”, por kombëtare dhe shtetërore.
Ky është abuzim i thellë me drejtësinë, shkelje e të drejtave universale të njeriut, fyerje dhe provokim i rëndë ndaj qytetarëve dhe shtetit tonë, në të cilin përveç Serbisë gjakatare, pjesëmarrëse tashmë është bërë edhe Franca “mike”, për të cilën shqiptarët anembanë globit u solidarizuan pas sulmeve terroriste të janarit 2015 në Paris, duke u identifikuar me flamurin francez në rrjetet sociale dhe ndezjen e qirinjve në nderim të viktimave të sulmit terrorist.
Së paku deri më tani, nuk më ka rënë të dëgjoj për ndonjë protestë apo reagim mediatik të shoqërisë civile franceze për ndalimin e padrejtë të zotit Haradinaj në Kolmar. Andaj pas vazhdimit të ndalimit të Haradinajt në Francë, kërkohet një mobilizim më i fuqishëm mbarëkombëtar, duke filluar nga institucionet shtetërore në Prishtinë dhe Tiranë, që urgjentisht të kërkohet lirimi pa asnjë kusht i Haradinajt, për të vazhduar me protestat e pandërprera pranë ambasadës franceze në dy shtetet shqiptare.
Institucionet tona shtetërore menjëherë duhet t’i ngrijnë të gjitha proceset e filluara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në radhë të parë dialogun në Bruksel dhe nismën paradoksale të presidentit Thaçi për pajtim me Serbinë, përderisa kjo e fundit të heqë dorë nga të gjitha obstruksionet politike ndaj shtetit të Kosovës dhe të mos i tërheqë të gjitha akuzat e montuara ndaj pjesëtarëve të UÇK-së dhe vlerave të luftës çlirimtare në përgjithësi.
Lirimit të Ramush Haradinajt nuk i ndihmojnë maskaradat mashtruese të pushtetarëve, as vizitat sa për sy e faqe të oponentëve politikë dhe vizitat individuale të interesit personal në Kolmar të Francës, atë e ndihmon e vërteta dhe përkushtimi me shpirt dhe zemër i çdo qytetari të Kosovës pa dallime partiake, ideologjike apo fetare.
Përderisa të gjithë sot po e themi se ndalesa e Haradinajt në Francë është e padrejtë, të vërtetën rreth kësaj çështjeje duhet ta thonë ekspertët juridikë, gjykatësit dhe avokatët shqiptarë me qëllim të përshpejtimit të proceduarave ligjore dhe përkufizimin e ndalesës – A është Haradinaj peng politik apo peng i Interpolit!?