Ramush Haradinaj, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka vizituar sot Gjilanin. Ai u prit nga simpatizantë e anëtarë të AAK-së, Dega në Gjilan, familjarë të dëshmorëve, ish-luftëtarë e qytetarë të tjerë. I pranishëm në këtë tubim ishte edhe anëtari më i ri i kësaj partie, opinionisti dhe gazetari, Halil Matoshi.
Ardhjen e tij paraprakisht me një fjalë rasti e ka përshëndetur, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rexhep Kadriu, njëherësh nënkryetar i Komunës së Gjilanit, për çka tha se AAK në Gjilan për tri vite ka dhënë shembullin e denjë të udhëheqjes, përmes dy drejtorive komunale, atë të Administratës Publike që udhëhiqet nga Nazim Gagica dhe të Zhvillimit Ekonomik, me drejtor Agim Zuzaku.
Kreu i AAK-së në Gjilan, para të pranishmëve dhe liderit Ramush Haradinaj i prezantoi pesë pika, në të cilat Gjilani ka nevojë të punohet e të investohet.
“Më 11 qershor kërkoj angazhim, sepse është momenti i fundit që qytetari i Kosovës të ndihet krenar me vendin e tij. E para është zona ekonomike të cilën nuk e ka Gjilani, ku mund të punësoheshin rinia e këtij qyteti, furnizimi me ujë me kapacitet për 50 vitet e ardhshme, se Gjilani realisht ka mungesë të furnizimit me ujë, trajtimi i ujërave të zeza, zhvillimin e bujqësisë përmes subvencioneve dhe e pesta autostrada”, ka thënë Kadriu.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se populli shqiptar i Kosovës dhe Kosova si shtet është në të drejtën e saj dhe pret që si e tillë të veprojë edhe karshi ndikimeve nga jashtë, sidomos në raport me Serbinë.
“Mënyra sesi ne e kemi përfaqësua vetveten nga udhëheqësit tanë, institucionet dhe shteti ynë është heq dorë nga vetvetja, nga e drejta kush jem, nga resurset, nga ekonomia, nga mundësia për investime dhe shumë çka që e bënë jetën e një vendi. Nëse ke burrështetas të zot, që përfaqësojnë shtetin denjësisht në tavolinë, ke edhe qytetarë të zot, ke edhe sipërmarrës të zot, ke njerëz në punë dhe ke shtet e je ai që je. Nëse i Zoti i shtëpisë është qyqan, nuk ka forcë në tavolinë, kështu nuk vazhdohet, kinse jemi vetvetja, kinse jam kryetar shteti, kinse po punojmë, kinse jam kryeministër, nuk guxojmë kështu. Cilado qeveri në botë do të vepronte, do ta mbronte dinjitetin dhe do të pranonte se ne jemi kështu dhe nuk lejojmë të na nëpërkëmbin ”, ka thënë Haradinaj.
Në fjalën e tij tutje Haradinaj foli edhe për ndaljen dhe gjykimin ndaj tij në Francë, duke thënë se pafajësia e tij është dëshmuar dhe se nuk e ndalë e nuk e njollosë asnjë gjykatë, për të cilën thotë se është i gatshëm të dal para drejtësisë 1 milion herë, por nuk lejon që Serbia të bëj shaka me të dhe Kosovën.
“Kam shku dy-tri herë para gjykatës, edhe 1 milion herë shkoj para gjykatave, cilitdo vend. Veç një gjë nuk ja kam borxh as Evropës dhe as Amerikës, Serbia me bo hajgare me mu. Përfaqësuesit e Serbisë me të kaluar kriminale, që nuk i ka pastrua asnjë gjykatë, as e Serbisë, këta me bo hajgare me mu dhe me thënë hajde të gjykojë ty, hajdeni po ua bëjmë mazi se atëherë. Dhe, kjo nuk është për shkak se unë du me u përsërit e kaluara, këtë e them se unë du mos me ndodh e kaluara. Ta ketë parasysh Brukseli dhe çdo vend se Beogradi po lazdrohet, dhe si vende evropiane e të zhvilluara të mos dështojnë sërish”, ka thënë lideri i AAK-së Ramush Haradinaj.
Përndryshe, ai nuk ka lënë pa kërkuar votën e gjilanasve më 11 qershor, pasi sipas tij qëllimi i tij është pa hile, në shtetformimin e Kosovës së denjë dhe jo vetëm në letër.
“Qëllimi im dhe puna që e bëjë është pa hile, ta bëjmë shtetin shtet, të punojmë pa hile dhe mos të mashtrohemi kinse po e bëjmë. Të jemi të hapur me atë që vërtetë ja do të mirën vendit dhe të jemi të qartë me aleatët tanë. Unë e di se kjo trevë bartë në vete shumë rrugë të mundimshme, shumë sakrificë, shumë vuajtje për me mbet Kosova kjo që është sot, me mbet Lugina aq sa ka mbet e shqiptarët me qenë këta që janë. Ju kërkoj ndihmën e juaj, ju kërkoj punën e juaj, ju kërkoj votën e juaj me 11 qershor për me qenë na vetvetja, me qenë shtet”, ka përfunduar Haradinaj.
E.Sherifi