(2L ONLINE) – Në Komunën e Gjilanit është hapur panairi i bletarisë me prodhuesit vetëm nga Gjilani, që është organizuar nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik në mbështetje nga Riinvesti e që ka ngjallur interesim edhe të qytetarëve, të cilët mund të shohin produktet bujqësore dhe prodhimet e bletës për tri ditë rresht nga dita e sotme.
Me këtë rast kryetari i Komunës Lutfi Haziri, ka uruar bletarët duke inkurajuar prodhimet e bletarisë e në përgjithësi të bujqësisë Gjilanase dhe është zotuar se Komuna e Gjilanit është përherë afër fermerëve.
“Urime ky panair i bletarisë, ju inkurajoj juve prodhuesve të bletarisë, por edhe prodhuesve të tjerë që të vazhdoni me investime në bujqësi dhe nga këtu sikur edhe më herët ju garantojmë që Komunën e keni mbështetëse në të gjithë programet e bujqësisë. Bujqësia dhe regjioni ynë janë të lidhura historikisht në zhvillim, ndërsa agro-industria është baza kryesore e zhvillimit në Komunën e Gjilanit dhe do të jetë baza kryesore e zhvillimit edhe në të ardhmen. Kështu që kushtet e prodhuesve vendor në bujqësi, duke marrë parasysh subvencionet e Komunës, të Qeverisë, Donatorëve dhe partnerëve si Riinvesti është më e lehtë të krijohen lehtësira dhe prodhim, e që domosdo ndikon edhe në punësimin e qytetarëve”, ka thënë kryetari Hazir duke shtuar se shkolla e bujqësisë e cila pa dashjen time është dal në periferi, në kushte të mira, por edhe më tutje nuk është atraktive të absorboj kërkesat edhe pse drejtoria e arsimit po promovon këtë shkollë që të shkojnë atje nxënësit, por derisa shkolla nuk bëhet atraktive – tërheqëse për fëmijët tanë problemet janë të kësaj natyre.
Ndërsa, Ismail Januzi, drejtor i Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se ky është panairi i bletarisë i cili po organizohet në bashkëpunim me Insitutin e Riinvestit me pjesëmarrës të prodhuesve të bletarisë Gjilanase, për të promovuar produktet e bletarisë.
“Është ky panair që është organizuar nga Komuna e Gjilanit dhe Insituti Riinvest, e që ka për qëllim të bëjë promovimin dhe shitjen e mjaltit të Komunës së Gjilanit. Këtë vit si projekt me Rinvestin kemi vetëm promovimin e bletarëve nga Komuna e Gjilanit edhe pse ndoshta jemi pak borxhlinj të komunave përreth por gjatë të ardhmes do të bëjmë edhe një të tillë regjional”, ka thënë drejtori Januzi.
Ndryshe në këtë panair kanë marrë pjesë 15 prodhues, e nga ta kishte edhe nga komuniteti serb, ndërsa interesimi ishte edhe nga shumë qytetarë, por edhe nga nxënësit e shkollës së bujqësisë dhe përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë Gjilanase. /2L ONLINE/