(2LONLINE) – Është hapur sot në Zyrën e kryetarit të Komunës ekspozita e nxënësve të shkollës së mesme të artit pamor në Gjilan që korrespondon me “Ditën e Europës” me mesazhin “Të kultivojmë vlerat europiane si parakusht në që në një kohë të afërme të jemi edhe ne pjesë e kësaj familje”.
Në shënimin e kësaj ngjarje ka marrë pjesë kryetari Lutfi Haziri, nënkryetari Kadriu si dhe përfaqësues së bashku me nxënës të kësaj shkolle.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, u ka thënë nxënësve që sot e kanë bërë Gjilanin krenarë me këtë ekspozitë, ndërsa tha se edhe Komisioni Europian në Kosovë e ka shënuar këtë ditë të hapjes së kësaj ekspozite në Gjilan.
“Kjo ditë e shënuar e Europës së Schumanit Gjilanin e bënë të vacantë sot për shkak të hapjes së kësaj ekspozite. Sot e keni madhështuar zyrën e kryetarit sepse shënimi i kësaj dite si aspiratë e popullit tonë, në veçanti e të rinjve, nxënësve dhe ju artistëve të rinjë, nesër do të na bëni krenar jo vetëm në Kosovë, por edhe në Europë kudo që shkoni me punimet tuaja, na obligon që ne të kujdesemi për ju, për edukimin e mirëfilltë, për avancimin e këtyre vlerave, në mënyrë që vërtet t’i mbërrijmë, jo vetëm sot të jemi aspirant për të qenë pjesë e Europës, por ashtu siç e ka parë Schumani, që të gjithë europianët të jetojnë në një familje, në një shtëpi, pa probleme, me një tolerancë, multietnicitet e diversitet kulturor dhe etnik”, tha kryetari Haziri.
“Ari i Gjilanit është arti pamor, ndërsa përkrahja e juaj zotëri kryetar është ari për Gjlanin”
Sipas Hazirit, 9 maji tash e tutje do të shënohet në mënyrë tradicionale nga nxënësit e shkollës së artit, në mënyrë të veçantë, për të shtuar se do të punohet që të hapet edhe ekspozita në Galerinë e qytetit, që Komuna do ta sponsorizoj plotësisht.
Në emër të shkollës së artit pamorë ka folur profesor Zejnullah Zejnullahu, i cili e ka falënderuar kryetarin e Komunës z. Haziri, duke thënë se u ka bërë nderë profesorëve dhe nxënësve që ua ka dhënë këtë mundësi për promovimin e veprave të tyre.
Ekspozita përbëhet nga 60 punime, që përfshihen piktura, punime të dizajnit grafik dhe një skulpturë.
Në kuadër të punimeve të nxënësve është edhe portreti i kryetarit Haziri, që e ka bërë nxënësi i kësaj shkolle Sabri Shaqiri.
Në këtë ngjarje u tha nga të pranishmit se “ari i Gjilanit është arti pamor, ndërsa përkrahja e juaj zotëri kryetar është ari për Gjlanin”.
Kjo ekspozitë do të qëndroj e hapur për një muaj. Kryetari Haziri ka vendosur që në zyrën e tij të promovoj veprat e artistëve, nxënësve e studentëve për çdo muaj, ndërsa për një muaj rresht ka qëndruar e hapur ekspozita e profesoreshës Magbule Xhemaili. /2lonline/