/2L ONLINE/ – Në mes të fshatrave Drobesh dhe Smirë të Vitisë, kanë filluar sot punimet në rregullimin dhe shtruarjen me zhavorr të rrugës bujqësore që lidh mes veti fshatrat Drobesh dhe Smirë. Me këtë rast Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Veton Ademi kanë marrë sot pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve përgjatë kësaj rruge. Ata janë pritur nga përfaqësues dhe banorë të dyja lokaliteteve të cilët e falënderuan Komunën e Vitisë që po hap dhe rregullon këtë rrugë që lehtëson qasjen e fermerëve në parcelat e tyre por edhe që lidhë këto fshatra mes tyre.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se këto rrugë po rregullohen dhe po shtrohen me zhavorr në kuadër të projekteve të shumta të cilat po realizohen në interes të qytetarëve vitias në të gjitha lokalitetet. “ Sot po fillojmë një projekt shumë të rëndësishëm që ka një rëndësi të dyfishtë, pasi me këtë jo vetëm që lehtësohet qasja e fermerëve të Drobeshit dhe Smirës në parcelat e tyre por ajo lidh edhe fshatrat mes tyre . Unë si kryetar i kësaj komune jam i përkushtuar të realizoj projekte që prekin interesin e të gjithë qytetarëve pa dallime” u shpreh kryetari Haliti.
Ndërkaq Veton Ademi, Drejtor për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural tha se rregullimi i kësaj rruge është në interes të fermerëve të dyja lokaliteteve por edhe nxit fermerët që të shtojnë sipërfaqet e mbjellura me kulturat e ndryshme bujqësore. “ Kjo rrugë më të vërtetë është shumë e rëndësishme për fermerët e Drobeshit dhe Smirës. Kam biseduar me disa fermerë dhe ata potencuan se deri me tani sipërfaqe të mëdha kanë qenë të papunuara pikërisht për shkak të infrastrukturës së dobët rrugore, por fatmirësisht me këtë projekt do të eliminohet ky problem dhe sigurisht se edhe do të shtohen sipërfaqet e mbjellura me kulturat e ndryshme bujqësore. “ tha Drejtori Ademi.
Përndryshe në afërsi të kësaj rruge është paraparë të ndërtohet tregu i kafshëve dhe rregullimi i rrugës siguron që fermerët të shfrytëzojnë me lehtë këtë treg. /2L ONLINE/