/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është nderuar me mirënjohje nga ana e kryetarit të Hanit të Elezit, Rufki Suma, për kontributin e tij në themelimin e kësaj komune, në kohën kur ka qenë ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.
Kryetari Suma theksoi faktin se sot Hani i Elezit është storie e suksesit si Komunë e re, për vetëqëndrueshmërinë dhe për funksionimin e mirë.
Ndërkaq, kryetari Haziri e falënderoi kryetarin Suma për mirënjohjen, të cilën e pranoi gjatë vizitës në Komunën e Hanit të Elezit dhe e njoftoi këtë të fundit lidhur programin e mekanizmave të Komisionit Europian, që ka për qëllim bashkëpunimin ndërkufitar si mundësi për nxitjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe përmirësimin e jetes së banorëve në zonat ndërkufitare.
“Objektivi i përgjithshëm i programit është të kontribuojë në zhvillimin ekonomik duke nxitur integrimin, zhvillimin e përbashkët dhe përdorimin e potencialeve dhe mundësive për të bërë zonën ndërkufitare tërheqëse për të jetuar dhe punuar. Është mundësi shumë e mirë e zhvillimit, pasi tashmë jemi duke hyrë në fazën projekteve të mekanizmave të Komisionit Eurpian dhe mundësi të mëdha që të konkurohet përmes projekteve të ndryshme”, tha Haziri.
“Fillimi i këtij projekti pritet të nis në tetor të këtij viti dhe komunat e zonës kuftare të Rajonit të Gjilani që kufizohen me Republikën e Maqedonisë duhet me kohë të identifikojnë projektet dhe partnerët potencial në mënyrë që të përfitohet nga ky instrument financiar”, shtoi kryetari Haziri. /2L ONLINE/