(2L ONLINE) – Nënkryetari i Komunës së Kamenicës Fatmir Matoshi, ka pritur përfaqësuesit e HandiKOS, menaxherin rajonal Fatmir Shurdhani dhe koordinatoren e zyrës në Kamenicë Hyrmete Morina me bashkëpunëtorët. Përfaqësuesit e HandiKOS e kanë falënderuar komunën e Kamenicës për mbështetjen e vazhdueshme të aktiviteteve të tyre dhe përkujdesjen që ka treguar komuna që përmes mjeteve financiare të siguroj funksionimin e zyrës së HandiKOS-it në Kamenicë.
“Ne u jemi mirënjohës për kontributin Tuaj që jepni për personat me aftësi të kufizuara në territorin e komunës së Kamenicës. Edhe përkundër vështirësive buxhetore, ne i kemi përkrahur projektet Tuaja sepse përmes tyre kemi mbështetur një kategori të caktuar të shoqërisë sonë e cila për ne është shumë e rëndësishme. Kryetari Begzad Sinani dhe të gjithë ne jemi të interesuar që bashkërisht me ju të kërkojmë edhe donator dhe mbështetës të tjerë të cilët ndihmojnë në përmirësimin e kushteve të personave me nevoja të veçanta” tha nënkryetari Matoshi.
Përfaqësuesit e HandiKOS kanë folur për punën që po bën zyra në Kamenicë, e në theks të veçantë për aktivitetet me fëmijët me nevoja të veçanta ku sipas tyre janë 35 fëmijë në komunën e Kamenicës që trajtohen nga kjo organizatë. Kamenica sipas përfaqësuesve të organizatës bën pjesë në komunat që më së tepërmi i mbështesin aktivitet dhe funksionimin e HandiKOS.
Fatmir Shurdhani menaxher rajonal tha se qëllimi i tyre është që të zgjerohet aktiviteti i HandiKOS dhe të funksionojë si Qendër e Rehabilitimit e bazuar në Bashkësi.
Për këtë ide u vlerësua se duhet të ndahet një vend i veçantë dhe kërkesa për këtë t`i drejtohet Kuvendit Komunal, e pas kësaj të kërkohen donator të mundshëm për ndërtimin e kësaj qendre. /2L ONLINE/