/2L ONLINE/ – Kompania “ Vizion Project” ka prezantuar sot para Institucioneve Komunale të Vitisë, planin rregullues të hollësishëm për zonën ekonomike me statusin e parkut industrial. Kjo zonë ekonomike pritet që në të ardhmen të ndërtohet dhe vendoset në pjesën verilindore të qytetit të Vitisë, më saktësisht në zonën kadastrale Budrikë , me një sipërfaqe prej 15.5 ha në një parcelë të vetme. Përndryshe kjo zonë shtrihet në pjesën veriore dhe ka dalje në rrugën Ferizaj-Gjilan. Kurse në pjesën jugore kalon lumi “Morava”.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti gjatë këtij takimi ka thënë se ai është i interesuar që përmes kësaj zone ekonomike me status të parkut industrial të ndihmoj zhvillimin ekonomik të vendit dhe gjenerimin e vendeve të punës.
“Me të vërtetë jemi të përkushtuar të punojmë për mirëqenien e qytetarëve tanë. Me krijimin e kësaj zone ekonomike padyshim se do të ndihmohet zhvillimi ekonomik jo vetëm i komunës së Vitisë por edhe i vendit gjithashtu me këtë projekt do të bëhet gjenerimi i vendeve të punës“ u shpreh Haliti.
Ndërkaq gjatë këtij takimi ku është bërë edhe prezantimi i planit rregullues të hollësishëm për zonën ekonomike me statutin e parkut industrial u dhanë tre skenarët e mundshëm se si mund të realizohet më së miri ky plan. Në këtë takim pjesëmarrësit kanë dhënë vrejtjet dhe sugjerimet e tyre konkrete, të cilët pritën të përfshihen në dokumentin përfundimtar. /2L ONLINE/