Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Naim Pira gjatë ditës së sotme kanë vizituar fshatin Radivojcë për të parë nga afër projektet që po realizohen në kompletimin e infrastrukturës rrugore.
Haliti është pritur edhe nga banorët lokal të cilët kanë falënderuar institucionet lokale dhe qendror për projektet që po realizohen në këtë fshat duke shtuar se me këtë po sigurohet lëvizja e lirë.
Kurse Kryetari Haliti bëri me dije se pos asfaltimit të rrugës kryesore të këtij fshati do të bëhet edhe asfaltimi i rrugëve lagjore si dhe janë planifikuar realizimi i disa projekteve të tjera në interes të banorëve.
“Përmes dy projekteve në Radivojcë do të bëhet kompletimi i infrastrukturës rrugore. Njëri projekt do të realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës kurse tjetri projekt me financimimin e komunës, konkretisht në asfaltimin e rrugëve brenda fshatit”, u shpreh Haliti.
Ai tha se pos institucionet komunale kanë bërë planifikime të tjera si në ndërtimin e trotuareve, ndriçimit publik, rregullimin e hapësirës gjelbëruese pranë çezmës së këtij fshati por edhe në infrastrukturën shkollore si dhe në rregullimin e një rruge bujqësore.