Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka reaguar sërish me ritmin e ngadaltë të punimeve në ndërtimin e objektit të ri shkollor në Pozheran të Vitisë, projekt ky që financohet dhe menaxhohet nga niveli qendror, duke kërkuar në emër të qytetarëve që ky ndërtim të përfundoj sa më parë.
Reagimi i plotë:
R E A G I M
Sinqerisht është e tepër stërzgjatja e punimeve në objektin e ri të shkollës fillore të mesme të ulët “Halil Alidema” në Pozheran. Në emër të prindërve, nxënësve, personelit arsimor dhe të gjithë qytetarëve tanë, kërkojmë që të rritet dinamika e punimeve dhe që objekti të përfundojë sa më parë. Në veçanti kërkojmë që objekti të jetë gati për 1 shtator dhe që nxënësit të vijojnë mësimin normalisht, pa orar të shkurtuar.
Ne të gjithë flasim që arsimi është prioritet, prandaj duhet të ju jepet edhe prioritet përfundimit të këtij objekti, dhe jo të stërgjatet apo zvarritet përfundimi i tij.
Prandaj edhe sot jam i detyruar që të shprehi publikisht pakënaqësinë time si kryetar i kësaj komune lidhur me zvarritjet e kota që po bëhen në ndërtimin e objektit të shkollës së Pozheranit.
Kërkojmë nga Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Arsimit të Republikës së Kosovës, që të marrin seriozisht kërkesat tona, pra të komunës, banorëve, prindërve, nxënësve që të rritet dinamika e punimeve dhe që objekti të përfundoj sa më parë. Qytetarët e Pozheranit dhe fshatrave për rreth, janë shumë të pakënaqur me mos përfundimin e objektit dhe ata kanë paralajmëruar edhe protesta nëse vazhdohet me këtë ritëm.
Mbesim me shpresë që pas reagimeve të njëpasnjëshme dhe të shprehjes së pakënaqësisë sonë të përbashkët, që qeveria e Republikës së Kosovës të reflektoj dhe të përfundojmë këtë projekt madhor sa më parë dhe që mos të humbasim në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Sinqerisht
Kryetari i komunës së Vitisë
Sokol Haliti