(2LONLINE) – Mbledhja e parë të Këshillit të Drejtorëve që u mbajt sot, ka pasur në fokus gjendjen momentale të drejtorive të trashëguar nga përbërja e kaluar. Në kuadër të kësaj pike është biseduar për incizimin e gjendjes dhe specifikimet e stafit të punëtorëve nëpër drejtori. Kryetari I komunës Sokol Haliti, ka kërkuar nga drejtorët që të jenë të angazhuar në realizimin e planeve si dhe në incizimin e gjendjes në mënyre detale që të kemi pasqyrën reale të secilës drejtori.
“Është me rëndësi të dihet saktësisht numri I punëtorëve dhe përgjegjësit e tyre se kush çka punon. Institucioneve duhet ti kthehet disiplina nga ana e shërbyesve civil dhe efikasiteti në punë të rritet. Një çështje tjetër që kërkon të kryhet sa më parë është edhe gjendja financiare dhe obligimet, ngase sipas evidentimit të borxheve nga ana e një komisioni komunal që e kam emëruar për të bërë verifikimin, del se komuna është obligime dhe kjo shumë po rritet dita më ditë”, tha kryetari Haliti.
Drejtori I Drejtorisë së Arsimit Qahil Sinani, theksoi se ka vizituar disa shkolla të komunës së Vitisë dhe nga ajo që ka parë nga afër, ka vlerësuar se sidomos paralelet e ndara të shkollave janë lënë pas dore. Duhet një intervenim në përmirësimin e gjendjes nëpër ato shkolla, sikur edhe në Shkollën e mesme Teknike.
Ndërsa drejtori I Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik Ibrahim Rama ka përmendur disa mangësi në këtë drejtori të cilat beson të tejkalohen, kurse sipas një evidentimi të borxheve deri më tani, ai thotë se janë kaluar mbi 300 mijë euro, pa precizuar borxhet tjera që janë më të mëdha nga kontestet gjyqësore që komuna I ka humbur.
Në drejtorin e Administratës, drejtori Isak Sadiku theksoi se po punohet normalisht në sektorin e ofiqarisë dhe sektorët tjerë, ndërsa ka njoftuar për gjendje shumë të rëndë në sektorin e administrimit të veturave dhe derivateve ku pjesa dërmuese e veturave zyrtare janë në defekt dhe jashtë funksionit.
Një gjendje jo e mirë është raportuar edhe në Qendrën Kryesore për Mjekësi Familjare nga ana e drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Basri Aliu i cili përmendi edhe vërejtjet në aspektin e higjienës dhe nivelin e ultë të pastërtisë në këtë qendër.
Sipas drejtorit Aliu, janë evidentuar borxhe në këtë drejtori rreth 30.000 euro. Kryetari I komunës Sokol Haliti, ka kërkuar nga drejtorët që të jenë sa më transparent dhe të jenë në nivel të detyrave për realizimin e projekteve kapitale, duke e fokusuar projektin e Palestrës Sportive dhe disa projekteve tjera që janë shumë të rëndësishme për komunën tonë./2lonline/