Kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti gjatë takimit me ministrin e Infrastrukturës Arban Abrashi ka marr premtime nga ky i fundit se çështja e kyçjes së Vitisë në autostradën “Arbën Xhaferi” në fshatin Gërlicë do të merr së shpejti një epilog të ri, transmeton Plus TV.
Abrashi, sipas kryetarit Haliti do të rikthej vendimin për nisjen e punimeve nga kompania “Bechtel and Enka”, e cila ishte në prag të nisjes së punimeve kur në emër të “Gjakderdhjes financiare” Qeveria Kurti e anuloi vendimin për nisjen e këtyre punimeve në muajin mars të këtij viti, me çka Vitia mbeti sërish pa kyçjen natyrale e kërkuar prej vitesh.
Sipas Abrashit, Qeveria Hoti pritet që ti rikthehet negociatave me kompaninë “Bechtel and Enka” për të bërë të mundur nisjen sa më parë të punimeve për kyçjen e Vitisë në autostradën Prishtinë-Shkup.
Shfuqizimi i vendimit për nisjen e punimeve për ndërtimin e dy kyçjeve të reja, në Ferizaj, Gërlicë – Viti dhe mbikalimit në Paldenicë – Hani i Elezit nga “Bechtel-Enka”, ishte bërë në mbledhjen e Qeverisë Kurti të datës 06 mars 2020. Ky vendim i Qeverisë Kurti kishte zhgënjyer tejmase qytetarët e Vitisë, ndaj të cilit reaguan ashpër shoqëria civile, shoqatat e bizneseve dhe subjektet politike.
BURIMI: PlusTV