Sipas zyrtarëve komunal të Vitisë, qeverisja lokale në këtë komunë po vazhdon ta trajtojë si prioritet fushën e shëndetësisë.
Drejtues të Komunës thanë se institucionet komunale vazhdimisht po punojnë në krijimin e kushteve sa më të mira në institucionet shëndetësore.
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti foli për punën e komunës në fushën e shëndetësisë.
“Vetëm gjatë këtij viti është punuar shumë në krijimin e kushteve sa më të mira për pacientët vitias, por edhe për stafin mjekësor. Është bërë rivitalizimi i objekteve ekzistuese, furnizimi me aparatura të reja të nevojshme, gjithashtu kemi bërë edhe inventarizimin e të gjitha objekteve shëndetësore me inventar të ri”, u shpreh kryetari Haliti duke potencuar se shëndetësia mbetet prioritet i tij.
Bëhet me dije se intervenime u bënë në ndërrimin komplet të kulmit të QKMF-së, suvatimin komplet të QKMF-së dhe urgjencës, ndërrimin e pjesshëm të kanalizimit të vjetruar, rregullimin e nyejve sanitare, rregullimin e ngrohjes qendrore si dhe funksionalizimin e saj.
Gjithashtu, janë blerë aparatura të reja laboratorike për QMF-Pozharan dhe shërbimin e urgjencës.
Megjithatë në QKMF-në e Vitisë, po punohet akoma brenda objektit të, saj por pritet që rivitalizimi i këtij objekti të përfundoj sa më parë.
Gjithashtu përfaqësuesit komunal bëjnë me dije se do vazhdojnë punimet të tjera sipas planifikimit. /2LONLINE/