Deri tani 44 qytetarë të Komunës së Vitisë janë prekur nga virusi pandemik COVID-19. Gjashtë janë të hospitalizuar, të tjerët gjenden në vetizolim në shtëpitë e tyre, kurse tre janë shëruar plotësisht.
Pos masave të tjera për parandalimin e përhapjes së këtij virusi, sot pritet të vendosen edhe tunelet dezinfektues në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti dhe Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pozheran. Kjo u bë me dije sot gjatë mbledhjes së rregullt që ka mbajtur Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH).
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka folur sot për masat që po i ndërmerr KKMSH-ja për parandalimin e përhapjes së virusit pandemik COVID-19 në këtë komunë.
Ai potencoi se po dezinfektimit dhe klorifikimit të hapësirave të jashtme si rrugët, sheshet, trotuaret, është bërë edhe dezinfektimi i ndërtesës në Viti, ku kanë rezultuar pozitiv disa qytetarë.
Kryetari Haliti tha se situata në këtë komunë është serioze dhe se duhet të merren edhe më shumë masa në mbikëqyrjen e vatrave të infektimit.
Ai kërkoi që të vazhdohet me gjurmimin e kontakteve, të bëhet rregullisht dezinfektimi i hapësirave dhe ndërtesave por edhe të bëhet klorifikimi i rrugëve.
Ndërkaq Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten, Afrim Halili potencoi se policia në Viti është duke u kujdesur për zbatimin e masave të qarkullimit të vendosur nga niveli qendror por edhe për lokalitetet ku qytetarët kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.
Ai tha se të gjithë ata që nuk respektojnë orarin e qarkullimit dhe kriteret për qarkullim do të ngritët kallëzime penale ndaj tyre.
Ndërkaq Dr. Vjollca Kadolli-Halili, drejtoreshë e QKMF-së në Viti, e njoftoi komitetin lidhur me gjendjen shëndetësore të të prekurve me virusin COVID-19 dhe mbi numrin e tyre.