Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH) ka shprehur edhe sot shqetësimin me gjendjen aktuale me Covid19 në Viti. KKMSH në mbledhjen e rregullt ka vlerësuar se pas paraqitjes së rasteve të reja me gripin pandemik është shtuar rreziku për përhapje të mëtutjeshme.
Kryetari Sokol Haliti, i cili edhe kryeson KKMSH-në, tha se tash kemi hyrë në një fazë serioze, prandaj duhet të kihet kujdes të shtuar. Ai kërkon nga qytetarët që të vetpërmbahen, në mënyrë që lehtësimi i masave të mos kthehet si kundërefekt.
Sipas tij tashti kur lëvizja e qytetarëve nuk është më e kufizuar, nuk dihet se nga mund të përhapet virusi. Haliti tha se po hulumtohen rastet e kontakteve të të infektuarve, në mënyrë që virusi të lokalizohet sa më shumë.
Kryetari Haliti tha se po mbahen kontaktet me të infektuarit dhe familjarët e tyre të vetizoluar. Ai tha se po vazhdohen masat e dezinfektimit dhe klorifikimit në lokalitete të ndryshme.
Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, Dr. Vjollca Kadolli-Halili, u bën thirrje atyre që kanë pasur kontakte me personat e infektuar, të vetizolohen, kurse ata që kanë shenja të lajmërohen për testim.
Ndryshe, sot në Ditën e Çlirimit të Komunës së Vitisë, si masë parandaluese, janë anuluar manifestimet publike dhe seanca festive e Kuvendit Komunal. /2LONLINE.com/