Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, në Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë, shpreh gjithë respektin e tij dhe të institucioneve komunale, për punën e palodhshme dhe angazhimin maksimal të këtyre profesionistëve.
“Në ditët e sotshme të zhvillimit të mjekësisë bashkëkohore, roli i infermierisë po fiton një dimension të ri të fuqizimit, duke i bërë infermierët ofrues të përkujdesit për miliona njerëz. Shërbimet shëndetësore pa infermierinë janë të pamundura apo jo të plota. Kështu infermieria mbetet bërthama e këtij shërbimi, e përqendruar në promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjes, kujdesin për të sëmurin dhe rehabilitimin e tij”, ka shkruar Haliti në urimin e tij.
I pari i komunës, i përgëzon infermierët për sakrificën dhe kontributin e çmueshëm që po japin, sidomos, në këtë kohë pandemie.
Në mënyrë të veçantë, ai, u duartroket infermierëve vitias, të cilët bashkë me mjekët, të parët u përballën me këtë gjendje, duke qëndruar të përkushtuar, gjatë gjithë kohës, në krye të detyrës.