Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi ka reaguar ndaj deklaratave të Zoran Stankoviq i cili udhëheq Trupin Koordinues të qeverisë serbe për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Halimi në deklaratën fletë për artikullin “Shqiptarët nuk i besojnë as Amerikanëve” dhe shtrembërimit të vlerësimit të numrit të shqiptarëve të bërë gjatë këtij viti.
Më poshte e keni deklaratën e plotë të Riza Halimit:
Reagimi i kryetarit të PVD – së Riza Halimi ndaj deklaratave të kryetarit të Trupit Koordinues të qeverisë serbe për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë të paraqitura në VEÇERNJE NOVOSTI dhe në portalet e Luginës së Preshevës
Në artikullin “Shqiptarët nuk i besojnë as Amerikanëve” keni botuar intervistën me kryetarin e Trupit Koordinues Zoran Stankoviq në të cilën është shtrembëruar problematika e vlerësimit të numrit të Shqiptarëve në Serbi dhe numrit të banorëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Me këtë rast kryetari i këtij organi qeveritar deklaron se shenimet për vlerësimin e numrit të Shqiptarëve që e ka paraqitur grupi i ekspertëve ndërkombëtarë janë shumë të përafërta me vlerësimin që e kishte përgaditur Enti i Statistikës së Republikës së Serbisë. Andaj është shumë normale t’i shtrohet pyetje organeve qendrore shtetërore pse ato që nga fillimi i vitit 2013 filluan dukshëm t’i zvogëlojnë të drejtat e Shqiptarëve duke u bazuar në shenimet e falsifikuara të regjistrimit të vitit 2011, kur i kanë pasur në disponim shenimet nga vlerësimi që Enti i Statistikës i përgadiste për çdo vit për të gjitha komunat në Serbi. Në fakt në vend të 61.647 Shqiptarë rezident nga regjistrimi i vitit 2002, që nga fillimi i vitit 2013 qeveria ka operuar me shifrën e falsifikuar prej 5.803 Shqiptarëve në Serbi edhepse në bazë të vlerësimit të Entit të Statistikës në vitin 2011 kanë jetuar rreth 52.000 Shqiptarë rezident.
Me këtë qasje manipuluese më së shumti është dëmtuar komuna e Preshevës, e cila në bazë të regjistrimit të vitit 2002 i ka pasur 34.904 banorë rezident. Ndërsa me shenimet e falsifikuara të regjistrimit të vitit 2011 kjo komunë paraqitet me 3.080 banorë edhepse kanë ekzistuar shenimet e vlerësimeve të Entit të Statistikës sipas të cilave ajo i ka pasur 29.609 banorë rezident në vitin 2011.
Pra është dashur të kalojnë dy vite e gjysëm të aplikimit diskriminues të shenimeve të falsifikuara dhe vetëm kur qeveria e angazhoi grupin e ekpsertëve ndërkombëtarë u publikuan edhe rezultatet e vlerësimit të numrit të banorëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me të cilat dispononte Enti i Statistikës.
Në procedurat e vërtetimit të rezultateve të vlerësimit të Entit të Statistikës, që u bë nga grupi i ekspertëve ndërkombëtarë, përfaqësuesit politik të Shqiptarëve dhe përfaqësuesit e pushteteve lokale patën rol margjinal dhe kryesisht u shfrytëzuan vetëm për dekor demokratik. Është e qartë se për këtë arsye është paraqitur pakënaqësia e përfaqësuesve të Shqiptarëve, mirëpo shumë më e rëndësishme është pakënaqësia e madhe, madje zemërim i Shqiptarëve për shkak të manipulimeve të pushtetit me numrin e Shqiptarëve në Serbi në funksion të zvogëlimit drastik të drejtave që i kishin më herët, që është në kundërshtim me rekomandimet e Komitetit Këshillëdhënës të Këshillit të Evropës të paraqitura në shqyrtimin e tretë për Serbinë.
Kryetari i Trupit Koordinues qeveritar njëkohësisht e shfrytëzoi këtë intervistë për të paralajmëruar kaptinë të re të diskriminimit të Shqiptarëve në Serbi me anë të zvogëlimit të trupit zgjedhorë të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës!
Problemet me azhurimin e listave zgjedhore janë prezente në të gjitha komunat në Serbi, andaj edhe është shokues “zbulimi” i Zoran Stankoviq i “matematikës shqiptare” sipas së cilës ata kanë 2.000 qindvjeçar! Që kemi të bëjmë me manipulim flagrant shihet menjëherë nga fjalia pasuese e Zoran Stankoviq ku deklaron se listat zgjedhore do të rregullohen deri në prill të vitit 2016 edhe ate “jo si do të donin Shqiptarët, por në bazë të gjendjes reale në teren”.
Është e njohur se në listat zgjedhore të gjitha komunave, e jo vetëm të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës gjenden edhe votuesit që qëndrojnë mbi një vit jashtë shtetit, të cilët në bazë të metodologjisë së përdorur në regjistrimet e popullatës të viteve 2002 dhe 2011 nuk trajtohen si banorë rezident edhepse ata këtu kanë shtëpi dhe patundshmëri tjera për të cilat paguajnë tatimin përkatës. Për shkak të pazhvillueshmërisë ekstreme të këtyre komunave mbi një e treta e banorëve të tyre aktualisht gjenden në shtetet e Evropës Perëndimore. Pikërisht për këto arsye në të gjitha nivelet e zgjedhjeve pjesmarrja në këto komuna është më e vogël se 45 % që vetvetiu është argument i fortë që i demanton plotësisht akuzat e paraqitura nga Zoran Stankoviq për ndonjë manipulim të qëllimshëm të Shqiptarëve me listat zgjedhore.
Mirëpo, sipas të gjitha gjasave paralajmërimet e paraqitura në rradhë të parë kanë të bëjnë me eliminimin e të drejtës së votës për Shqiptarët e këtij rajoni, të cilët në kushte të jashtëzakonshme dhe në kushte të luftës janë detyruar të largohen nga vatrat e tyre dhe të vendosen përkohësisht në Kosovë. Qysh nga viti 2010 këta Shqiptarë të dëbuar, të cilëve nuk iu janë krijuar as kushtet elementare për kthim, kanë probleme shumë të mëdha për vazhdimin e dokumenteve personale për çka ata në numër të madhë po shndërrohen në persona juridikisht të padukshëm! Kurse pas zgjedhjeve të fundit në Medvegjë nga Stacioni i policisë një numri të madh të Shqiptarëve po iu dërgohen ftesat për paraqitjen e deklaratave për vërtetimin e vendbanimit. Është shumë e qartë se me këtë praktikë diskriminuese, dukshëm do të rritej numri i personave juridikisht të padukshëm, e në këtë mënyrë do të rritet edhe numri i familjeve shqiptare me vendbanime të pasivizuara në evidencën civile të Ministrisë së punëve të brendshme të Republikës së Serbisë.
Kur e kemi parasysh këtë praktikë restriktive dhe diskriminuese të MPB atëherë është shumë e qartë prapavija perfide e deklaratës së kryetarit të këtij organi qeveritar me të cilën po paralajmërohet pastrimi radikal i listave zgjedhore në baza etnike në mënyrë që këto lista t’i përgjigjen “situatës reale në teren”, e cila është imponuar në kushte të luftës dhe në kushte të jashtëzakonshme.
Më duhet me këtë rast t’ia përkujtoj kryetarit të këtij organi qeveritarë për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë të imponuar në formë arbitrare se Shqiptarët e bojkotuan regjistrimin e vitit 2011pikërisht për shkak të pengesave të shkaktuara nga ana e Entit të Statistikës për t’i mundësuar regjistrimin të dëbuarve gjatë gjendjes së luftës si dhe të personave juridikisht të padukshëm.
Njëkohësisht është e rëndësishme të informohet opinioni se gjenerali në pension Zoran Stankoviq është në krye të Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, organ qeveritarë i formuar qysh në vitin 2000 me qëllim të zgjidhjes së krizës së atëhershme në këtë rajon. Pas 15 viteve të formimit është shumë e qartë se ky organ arbitrarë e jodemokratik është bërë i tepërt dhe aktualisht është shndërruar në bllokues drastik të zhvillimit të Luginës së Preshevës, që gjithnjë e më tepër po i pengon pushtetet lokale dhe Këshillin Nacional të Shqiptarëve për t’i realizuar kompetencat që iu takojnë me Kushtetutë dhe ligjet përkatëse.
Mjerisht, edhe përskaj rezultateve fillestare, ky organ qeveritarë nuk arriti t’i realizojë qeëllimet themelore të parashtruara me Programin e vitit 2001. Presheva, Bujanoci e Medvegja vazhdojnë të jenë komunat më të pazhvilluara me shkallë rekorde të papunësisë, ndërsa Shqiptarët e Luginës së Preshevës edhe më tutje shum pak janë të integruar në strukturat shtetërore dhe institucionet publike. Gjithashtu ky organ arbitrarë i qeverisë serbe nuk arriti në këto tri vite të filloj më seriozisht ta implementoj as Programin e masave urgjente për zgjidhjen e problemeve jetësore të Shqiptarëve në këtë rajon, edhe përskaj faktit se këtë program Qeveria e kishte aprovuar qysh në qershor të vitit 2013.
Në vend të zgjidhjes së problemeve shumë të rënda dhe të ndieshme ky organ qeveritarë po mundohet që me manipulime politike të kamufloj gjendjen katastrofale ekonomike e sociale në këto komuna, që drejtpërdrejtë po ndikon në largimin masovik të rinjëve Shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Andaj është e domosdoshme që sa më shpejtë të ndërpriten lojërat politike diskriminuese të qeverisë serbe duke u shërbyer me këtë organ arbitrarë dhe antidemokratik.
Kryetari i PVD – së
Riza HALIMI