Në seancën e Parlamentit të Serbisë të mbajtur të Enjten, deputeti popullorë Riza Halimi përmes dy pyetjeve, iu është drejtuar Qeverisë së Serbisë, respektivisht Ministrisë së Arsimit në Beograd.
Halimi, edhe kësaj radhe ka potencuar gjendjen e rëndë të furnizimit me tekste shkollore të shkollave në gjuhën shqipe dhe dinamikën e ngadaltë për tejkalimin e saj, shkruan Titulli.com.
Ai në pyetjen e tij ka kërkuar sqarim nga Ministria se cila është arsyeja e moslejimit të përdorimit të donacionit prej 100 mijë teksteve shkollore që, për nxënësit e Luginës së Preshevës, e ka bërë Ministria e Arsimit në Kosovë.
Gjithashtu Halimi në pyetjen tjetër për këtë ministri ka kërkuar sqarim për nostrifikimin e diplomave nga Universitetet e Kosovës.
Deputeti Halimi ka pyetur se cila është arsyeja, respektivisht problemi, që edhe përskaj Marrëveshjes së Brukselit dhe Dekretit të Qeverisë së Serbisë nga nëntori i vitit të kaluar, edhe më tej nuk po lejohet nostrifikimi i shumë diplomave të shqiptarëve, duke krijuar në këtë mënyrë gjendje pa perspektivë për shumë të rinj.
Lidhur me mosnjohjen e diplomave, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë Halimi ka përmendur edhe problemet që po i shkaktohen mjekëve shqiptarë me licencimin nga Shoqata e Mjekëve të Serbisë.