“Qytetarët e Zhegrës ka kohë që po ballafaqohen me ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm si rezultat i defektit dhe mos rregullimit të pompës ku bënë furnizimin e rezervuarit me ujë. Këtë e bënë më të vështirë edhe papërgjegjësia dhe neglizhenca totale e menaxhmentit të KRU- Hidromorava, me aq sa kemi informacione që sjellin punëtorë në kryerjen e punimeve që nuk janë adekuatë për të, sepse ndryshe do të ishte situata”
Kështu është shprehur në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, Xhelal Hajrullahu, anëtar (i pavarur) i këtij Kuvendi, sipas të cilit, situata rëndohet edhe me shumë për qytetarët që jetojnë në botën perëndimore, e që tani kthehen në shtëpitë e tyre. Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë të kyçur vetëm me ujësjellës, nuk kanë burime tjera të furnizimit me ujë, transmeton Portali 2LONLINE.com.
“Kërkesa ime si asamblist komunal dhe e qytetarëve të Zhegrës është me u rregullua pompa, nëse është e nevojshme të vendoset edhe e re, ku bën furnizimin me ujë. Në të kundërtën nëse vazhdohet në këtë mënyrë, ka gatishmëri dhe disponim të madh nga qytetarët edhe të protestohet. Kujtoj që kërkesa ime të shqyrtohet pozitivisht nga menaxhmenti – Drejtori KRU Hidromorava dhe ekzekutivi i komunës”, ka thënë Hajrullahu. /2LONLINE.com/