Borxhlinjtë e tatimit në pronë që nuk e shlyejnë akoma borxhin që kanë në tatimin në pronë mund të përballën qysh në fillim të vitit 2019, me përmbaruesit privat.
Drejtori i Drejtorisë Komunale për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi, kohë më pare kishte apelua te të gjithë qytetarët dhe bizneset që t’i përgjigjen thirrjes për pagesën e faturave të tatimit në pronë, sepse për vonesat eventuale barra e kamatës dhe e dënimit është rënduese për të gjithë borxhlinjtë sipas skemës ligjore nga niveli qendror.
“Nëse borxhet deri në fund të këtij viti nuk paguhen, sistemi qendror i tatimit në pronë me datën 1 janar 2019 e gjeneron dënimin dhe kamatën, për çka përsëri do të jetë një vështirësi për qytetarët, sepse krahas obligimit do të shtohen edhe këto dy vlera”, kishte thënë Maliqi.
Maliqi kishte kërkuar që ata që kanë borxh ti përgjigjen pagesave, sepse në të kundërtën në bazë të ligjit, duhet të veprohet përmes përmbaruesve.
Në seancë ne sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, Enver Hajrullahu, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga radhët e Nismës Socialdemokrate, duke iu referuar deklarimeve të Drejtorit, Zijadin Maliqi, se të gjithë ata që kanë borxhe, do të dërgohen te përmbaruesi privat, ka kërkuar që mos të përfshihen kategoritë e familjeve me asistencë sociale, të Invalidët e Luftës, ata që kanë persona me aftësi të kufizuara sepse këto kategori familjare kanë nevojë me ju ndihmua më shumë, e jo me i dërgua te përmbaruesi privat dhe edhe ato pak të hyra që munden t’i kenë, t’i bllokohen.
Në përgjigjen e tij, drejtori i Drejtorisë Komunale për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi ka thënë se ligji i ri mbi tatimin në pronë nuk e liron askënd nga obligimet nga tatimi në pronë. Sipas ligjit, parashihet edhe inkasimi me përmbarim.
“Ne kemi filluar me këtë formë, konkretisht ne kemi lëshuar vërejtjet e fundit për 51 borxhlinj që kanë nga 5 mijë euro e më shumë borxh, por që janë biznese, pra nuk janë individë apo raste sociale dhe atyre iu është dhënë afati për pagesën e obligimeve, para se të fillojë punën përmbaruesi. Në këtë drejtim kemi pas suksese, një pjesë e tyre kanë filluar me pagesat, të tjerët kanë kërkuar kohë deri në fund të këtij viti kur edhe do ti kryejnë obligimet e tyre”, ka thënë Maliqi.
Ai shtoi se për ata që nuk i kryejnë obligimet, nga janari do të startojnë me formën e përmbarimit edhe pse kjo formë nuk është e dëshirueshme as nga komuna por e obligueshme për mbledhjen e obligimeve, tha ai.
Pas këtyre obliguesve më të mëdhenj, do të vazhdohet me ata që kanë borxhe në vlera mbi 1 mijë euro, e kështu me radhë.
Por, kur jemi te shtyrja e obligimeve për më vonë, Maliqi tha se në këtë mënyrë nuk e ndihmojmë askënd, por veç më tepër ngarkohen sepse për vonesa aplikohen ndëshkime dhe kamata.