Nga anët tona kishte jetuar një person që quhej Brahim e që atij kurrë hairi nuk iu ishte parë ndonjëherë, por vetëm sherri për vite të tëra.
Nga: Kushtrim Kadriu
Dy ditë para se të festohej festa e Bajramit urën që e lidhte fshatin me xhaminë e kishte marrë lumi dhe për shkak të kësaj askush nuk mund të shkonte në ritualin e faljes së Bajramit.
Doli Brahmi vullnetar të rregullonte urën dhe i gjithë fshati u habit nga ky veprim. Ishin mësuar që Brahimi të bënte gjëra negative e të mos i shihej hairi për asgjë dhe jo më të bënte ndonjë punë të mirë siç ishte ndërtimi i urës, që ta shfrytëzonin të gjithë.
Brahimi ndërtoi urën, e bëri gati për mëngjesin e faljes së Bajramit, por në fund para se ta lëshonte në përdorim ai preu gjerë në gjysmë shtyllat e urës që në rast se kishte peshë të madhe ajo të shembej.
Atë mëngjes dhjetëra burra hipën njëkohësisht në urë duke uruar Brahimin për punën e mirë që kishte bërë, por duke kaluar urën ajo u shemb dhe të gjithë ata që ishin aty ranë në lumë.
Nga këtu lindi thënia ‘Hajri i Brahimit, sherri i Malësisë’.
Kohëve të fundit kur dëgjoj dhe shoh shumë politikanë nga Kosova që nuk ndalën duke folur për Luginën e Preshevës çuditem. Këta ka tetëmbëdhjetë vite që nuk janë marrë kurrë me ne, në asnjë moment.
Çuditem dhe më kujtohen takimet me ta, figurat e tyre kur na thoshin kryeqyteti juaj është Beogradi! Tani flasin dhe bëhen më luginas për çudi… !
Frikësohem që është vetëm një ‘hajër’ si ai i Brahimit, pasi për tetëmbëdhjetë vite vetëm jemi mashtrua nga shteti i Kosovës dhe kemi qenë jashtë vëmendjes së tyre.
Kam frikë se ky angazhim i tanishëm është vetëm për një konsum politik në Kosovë ose për ndonjë hall të politikës kosovare për të tërhequr vëmendjen.
Nuk është e nevojshme dhe e logjikshme që të luhet me ndjenjat e shqiptarëve të pushtuar dhe të diskriminuar në Kosovën Lindore, por duhet të punohet seriozisht, nga njerëz seriozë e jo nga disa që janë dëshmuar se këtë kartë e kanë përdorur vetën për përfitime elektorale e nuk kanë bërë asgjë konkrete.
Urojmë që në këto punë të ketë diçka të mirë e të mos tallën me ne siç janë tallur tani e tetëmbëdhjetë vite.