Në vazhdën e vizitës në Turqi, Grupi Miqësisë Kosovë-Turqi, i kryesuar nga Enis Kervan, kryetar, takoi kryetarin e Kuvendit të Madh të Turqisë, Mustafa Sentop, të cilit i shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë për Kosovën dhe po ashtu për bashkëpunimin ndërparlamentar.
Në këtë takim të ngrohtë e miqësor, të dy delegacionet u pajtuan që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të forcohet më tej në fushat e interesit të përbashkët.
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës theksoi përkushtimin e institucioneve për të avancuar rrugën e anëtarësimit në institucione e organizma ndërkombëtarë.
Duke e njohur kryeparlamentarin Sentop me zhvillimet në Kosovës dhe duke vlerësuar lart kontributin e Turqisë në shumë arritje të shtetit tonë, kryetari i Grupit të Miqësisë, Kervan, kërkoi mbështetjen e mëtejme të Ankarasë zyrtare për Kosovën, veçanërisht në procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës dhe në NATO, por edhe në lobimin për njohje të reja të pavarësisë.
Kryetari i Kuvendit të Madh të Turqisë, Sentop, nga ana e tij, theksoi përkushtimin e shtetit turk në ofrimin e ndihmës dhe përkrahjes për Kosovën në këto procese.
Delegacioni do të vazhdojë vizitën në Turqi me takime të tjera. /2LONLINE/