Grupi i Miqësisë me Zvicrën i Kuvendit të Republikës së Kosovës, udhëhequr nga Jeta Statovci, kryetare, priti sot në takim një delegacion nga Parlamenti i Zvicrës.
Kryetarja Statovci në hapje të takimit falënderoi anëtarët e delegacionit zviceran dhe vizitën në Kosovë, duke e cilësuar atë si shumë të rëndësishme, në vazhdën e mbështetjes që shteti zviceran i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë shtetit tonë.
“Zvicra ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë Kosovën në procese të rëndësishme, si në aspektin politik, ashtu edhe atë ekonomik”, theksoi Statovci.
Tutje, Statovci shtoi se shteti ynë është storie suksesi dhe se Kosova si shtet ka ndërtuar një demokraci stabile, falë angazhimit të të gjithëve, duke përfshirë mbështetjen nga bota perëndimore.
Nga ana e delegacionit zviceran, fjalën e mori kryesuesja e delegacionit, Andreas Gmür, e cila ishte tejet falënderuese për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, duke shtruar, kështu një varg çështjesh, si dhe duke u fokusuar në çështje të sigurisë dhe ambientit.
Ajo kërkoi nga Grupi i Miqësisë me Zvicrën i Kuvendit të Republikës së Kosovës që ta argumentojë nevojën e mbështetjes së mëtutjeshme të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj lidhur me prezencën e ushtrisë zvicerane, në kuadër të trupave paqeruajtëse të KFOR-it.
Lidhur me këtë deputetët e Kuvendit të Kosovës, anëtarë të këtij grupi të miqësisë, duke u bazuar në situatën ndërkombëtare të krijuar, për shkak të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, e që sipas tyre, mund të ndikojë edhe në vendin tonë për shkak të pozicionimit pro rus të shtetit serb, njëzëri shtruan nevojën e prezencës së ushtrisë zvicerane në Kosovë.
Në këtë takim u theksua se prezenca e trupave ushtarake zvicerane jo vetëm që është e nevojshme, por është edhe e domosdoshme, sepse sipas deputetëve, shteti i Zvicrës çdoherë e në çdo rrethanë ka ruajtur neutralitetin e vet kundrejt zhvillimeve të kohës, në funksion të avancimit të vlerave të demokracisë. /2LONLINE/