Kryetarja e Grupit të Miqësisë Kosovë-Kanada në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari Lila, priti sot në takim ambasadorin jorezident të Kanadasë në Kosovë, Alan Bowman.
Gjatë këtij takimi kryetarja Kusari Lila e njoftoi nga afër ambasadorin Bowman lidhur me aktivitetin e grupit gjatë këtij mandati.
Me tej, deputetja Mimoza Kusari Lila dhe ambasadadori Bowman diskutuan për bashkëpunimin e deritashëm midis Kosovës dhe Kanadasë, duke theksuar rëndësinë e rritjes së këtij bashkëpunimi nëpërmjet zhvillimit të diplomacisë parlamentare dhe grupeve të miqësisë, në fushat me interes të përbashkët, përfshirë zhvillimin e politikave që lidhen me sektorin e energjisë – sigurinë energjetike, industrinë minerare dhe zhvillimin e politikave feministe.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu edhe për situatën e përgjithshme politike dhe atë sigurisë në Kosovë, si dhe të drejtat e komuniteteve pakicë, përfshirë raportimet e mediave nëse ekziston mundësia e tensioneve ndëretnike. Me theks të veçantë ambasadori Bowman u interesua për të drejtat e komunitetit serb dhe integrimin e plotë të tij.
Lidhur me këtë, kryetarja e Grupit të Miqësisë dhe anëtarët e pranishëm të Grupit e informuan ambasadorin Bowman se Kosova është vend demokratik me kushte të barabarta për të gjitha komunitetet pa dallim. Megjithatë, ata vlerësuan se përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës në Kuvendin e Kosovës do të duhej të përfaqësonin më shumë se interesat e komunitetit serb në Kosovë, se sa ato të politikës zyrtare të Beogradit.
Në këtë takim u diskutua edhe për mundësitë e shkëmbimit, përkatësisht, përfitimit të përvojave në fushën e legjislacionit sa i përket fushës së kripto-aseteve.
Përveç deputetes Mimoza Kusari Lila, në takim ishin edhe deputetët Mirlinda Sadiku, Mërgim Lushtaku dhe Pal Lekaj, anëtarë të Grupit të Miqësisë Kosovë – Kanada në Kuvendin e Republikës së Kosovës. /2LONLINE/