Bordi i Grupit të Grave Deputete në përbërje: Blerta Deliu Kodra, Njomza Emini, Time Kadriaj, Shukrie Bytyqi, Jelena Bontiq dhe Mufera Shinik, u pritën sot nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Kadri Veseli.
Fillimisht kryetarja e Bordit të GGD-ës, Blerta Deliu Kodra, njoftoi kryetarin për punën e GGD-së, si grup gjithëpërfshirës, i cili do të vazhdojë të punojë për fuqizimin e rolit të gruas në inkorporimin e perspektivës gjinore në legjislacion dhe politikë në përgjithësi. Ajo përmendi edhe nevojën për përkrahje nga Kuvendi për Grupin e Grave Deputete në projektet e këtij grupi, por edhe në sigurimin e stafit të përhershëm mbështetës.
Kryetari Kadri Veseli, pasi uroi znj. Blerta Deliu Kodra për zgjedhjen e saj në krye të GGD-ës, theksoi se është i njoftuar me punën e mirë që po bën GGD-ja. “Unë do të përkrah GGD-në në çdo iniciativë për përmirësimin e pozitës së gruas dhe do të interesohem t’ju sigurohet mbështetja e nevojshme për mbarëvajtjen e angazhimeve të GGD-ës”,theksoi kryetari Veseli.
Deputetja Time Kadriaj, theksoi rëndësinë që me ligj dhe Rregullore të Kuvendit të sigurohet përkrahje për GGD-ën, ndërsa znj. Shukrie Bytyqi tha se edhe në administratën e Kuvendit duhet të respektohet barazia gjinore.
Deputetet Njomza Emini , Jelena Bontiq e Mufera Shinik, duke falënderuar kryetarin, kërkuan që gratë të jenë të përfshira më shumë në trupa të Kuvendit, delegacione, grupe punuese etj.