Disa muaj janë përgjuar në telefon si të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste në Kosovë. Ky grup prej shtatë personave me nacionalitet shqiptar, në mesin e të cilëve njëri është i kthyer nga Siria, janë të rinj nga Prishtina dhe Gjilani, emrat e të cilëve janë siguruar nga gazeta “Zëri”.
Javën e kaluar disa nga ata ishin mbledhur afër liqenit të Gërmisë ku dyshohej se po përgatisnin një sulm terrorist. Kurse sulmin ndaj dy shtetasve amerikanë në Prishtinë ditë më parë dyshohet se e kanë bërë dy pjesëtarë të këtij grupi. Dhe nga përgjimet mësohet plani, i cili rezulton me aksionin e policisë për arrestimin e tyre.
Jo të gjithë janë kapur në Gërmi, aksioni është zhvilluar edhe në Gjilan. Në këto dy qytete janë arrestuar gjashtë prej tyre: V. Shala, G. Selimi, M. Hyseni, N. Sylejmani, A. Mehmeti dhe B. Mulolli, kurse njëri nga ata vazhdon të mbetet në arrati.
“Gjatë arrestimeve në Gjilan përveçse është arratisur një person, njëri nga të arrestuarit është kapur në fshatin Bresalc teksa po tentonte arratinë”, ka thënë burimi brenda policisë.
Gjatë bastisjes së shtëpive të tyre, policia ka konfiskuar: një snajper, një karabinë, një pushkë gjysmautomatike, dy revole, një revole e modifikuar, rreth njëmijë e dyqind fishekë të AK-47, njëmijë e nëntëqind euro, dy vetura, BMW dhe Mercedes, si dhe prova tjera materiale.
Një ditë pas arrestimit të tyre, është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë ditësh. Burime të gazetës bëjnë të ditur se masa e paraburgimit ndaj tyre është caktuar, përveç se janë të dyshuar për përgatitje për terrorizëm, edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje/zeri.info/